Përgjimet e Antimafias italiane. Agron Shehaj: – Ekonomia shqiptare, e drejtuar qëllimisht drejt parave të krimit. Ky është shkaku që nuk kemi investitorë të rinj
23 janar 2021
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj ka reaguar pas përgjimeve të publikuara nga antimafia italiane ku përmendet fakti se zyrtarë të lartë shqiptarë përfshihen në skema ryshfetesh për lejet e ndërtimit të gradacelave.
Përmes një shënimi në facebook, Shehaj shkruan se ato përgjime janë fakt se qeveria është shkrirë në 1 me krimin dhe biznesin.
Ish-deputeti shprehet se me ardhjen në pushtet të kryeministrit Edi Rama e gjithë ekonomia shqiptare është drejtuar qëllimisht drejt parave të krimit, pasi sipas tij “paratë e trafiqeve dhe aktiviteteve të tjera kriminale injektohen në biznese në Shqipëri, aktiviteti kryesor i të cilave lidhet ose me leje ndërtimi ose me kontrata shërbimesh me qeverinë”.
Sipas Shehajt ky është edhe shkaku pse Shqipëria nuk ka investitorë të rinj apo që shumë kompani perëndimore e kanë braktisur vendin tonë.
“Që ekonomia shqiptare të rritet, që investitorët e huaj të rikthehen në Shqipëri, që të hapen vende të reja pune, e vetmja mundësi është largimi i kastës kriminale nga pushteti për t’i hapur rrugën një qeverie të pakapur nga krimi”, e mbyll reagimin e tij ish-deputeti demokrat.
Postimi i plotë:
Përgjimet e Ndraghetës nga drejtësia italiane treguan qartë faktin e shkrirjes në 1 të qeverisë, krimit e biznesit.
Paratë e trafiqeve dhe aktiviteteve të tjera kriminale injektohen në biznese në Shqipëri, aktiviteti kryesor i të cilave lidhet ose me leje ndërtimi ose me kontrata shërbimesh me qeverinë.
Në qeverisjen Rama e gjithë ekonomia shqiptare është drejtuar qëllimisht drejt parave të krimit.
Ky kriminalizim i ekonomisë ka bërë që që jo vetëm të mos ketë asnjë investitor të ri, por ka detyruar shumë kompani perëndimore të braktisin Shqipërinë. Disa nga këto kompani janë bërë viktima e dhunës shtetërore me inspektorë e gjoba që ka patur si qëllim përzënien e tyre dhe kalimin e veprimtarive dhe pasurive të tyre në duart e krimit shqiptar, pas të cilit fshihen qeveritarët që përfitojnë nga paratë e krimit.
Ka një ligj në ekonomi, paraja e pistë përzë paranë e pastër, dhe kjo qeveri ka nxitur paranë e pistë që po mbyt ekonominë e vendit.
Që ekonomia shqiptare të rritet, që investitorët e huaj të rikthehen në Shqipëri, që të hapen vende të reja pune, e vetmja mundësi është largimi i kastës kriminale nga pushteti për t’i hapur rrugën një qeverie të pakapur nga krimi.
Gazeta Panorama