Përgjimet e Antimafias italiane/ SPAK nis sekuestrimin e dokumenteve, në “sitë” tendera e bilance financiare

8 shkurt 2021

Pas nisjes së hetimit për përgjimet e Antimafias italiane në lidhje me organizatën mafioze “Ndrangehta” ku flitet edhe për Shqipërinë, Prokuroria e Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar fillon sekuestrimin e dokumenteve.

Prokurori Sotir Kllapi ka firmosur një sërë shkresash përmes të cilave kërkon praktikat e tenderave nga Agjensia e Prokurimit Publik të zhvilluara para dhe pas kohës së përgjimeve.

Bëhet me dije se prokuroria do të hetojë aktivitetin e kompanisë “Galo Albania”, në pronësi të Antonio Galos, i njohur si “Princi” që është në qendër të hetimeve të Antimafias italiane. Në sitën e prokurorisë do të kalojnë bilancet financiare ndër vite të kësaj kompanie si dhe çdo shitblerje e realizuar prej saj si me kompani private, ashtu dhe me institucione shtetërore.

Burimet thanë se pritet të sekuestrohen edhe dosje që kanë të bëjnë me tenderat që lidhen me fushën e shëndetësisë dhe jo pak dosje që kanë të bëjnë me lejet e ndërtimit. Nga ana tjetër, SPAK ka kërkuar zyrtarisht pranë Ministrisë së Drejtësisë edhe listën e përkthyesve të licensuar të gjuhës italiane, me qëllim që të bëjnë përkthimin e materialit voluminoz./Balkanweb.

Nga Gazeta Panorama