18 Mars 2025

Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje nga përgjimi që SPAK i ka bërë kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj në paraburgimin e Durrësit, në kuadër të procesit hetimor të nisur ndaj tij për korrupsion e pastrim parash.

E ftuar në A Show nën moderimin e Adi Krastës në Syri Tv, Lala ka treguar sekuenca të përgjimeve të reja ndaj Veliajt, të bëra përmes telefonatave nga brenda paraburgimit të familjarët e tij.

“Ministrin që ma bëri kështu e s’më doli në mbrojtje se fal, për 7 breza do ta shkrij”, është një nga citimet që dyshohet të ketë folur kryebashkiaku Veliaj me familjarët apo edhe intimidimi i dëshmitarëve të dosjes, duke shkuar deri aty sa t’i udhëzojë se si duhet të sillen në raport me hetimin penal ndaj tij.

“Në dosjen Veliaj ka keqinterpretime të qëllimta. Pas izolimit të Veliajt ka pasur dyshim të arsyeshëm që brenda institucionit ka pasur celular, i futur në mënyrë të paligjshme. Është vendosur kontroll nga Drejtoria e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë dhe grupi i gatshëm ka shkuar në qelinë e Veliajt dhe e kanë ‘përmbysur’.

E vetmja mundësi kontakti me familjen, avokatin, e  njerëzit e besuar, ishte kabina telefonike brenda paraburgimit. SPAK ka marrë autorizim të veçantë për të përgjuar vëllain, bashkëshorten dhe njerëz që mund të flisnin me Veliajn.

Fokusi s’ka qenë historia mediatike, sikurse është tentuar të trajtohej, por se ka pasur dyshime të arsyeshme që Veliaj intimidonte dëshmitarët.

Dhe flet qartë për dëshmitarët. Ministrin që ma bëri kështu e s’më doli në mbrojtje, se fal, për 7 breza do ta shkrij…etj.

Këto prova janë përdorur për të lënë në fuqi masën e sigurisë ‘arrest në burg’.’Ols violina, Ols kafka’, s’mund të mbrohet kështu Erion Veliaj. Ka disa korniza ligjore mbrojtja, nëse ka prova le t’i çojë në institucione”, u shpreh Lala.

Gazetarja Lala bëri dhe një panoramë të përgjithshme të situatës politike dhe të drejtësisë në të cilën ndodhet vendi, duke theksuar se Shqipëria është në gjendjen e saj më kritike.

Sipas Lalës, duhet një reagim popullor që gjërat të ndryshojnë, pasi keqqeverisja u ka vënë ‘këmbën në fyt’ qytetarëve.

“Shqipëria është në situatën e saj më kritike. Duhet të ketë një reagim popullor për t’i ndryshuar gjërat.

Jemi në një situatë kaotike, e keqja është korrupsioni i një qeverisjeje 12-vjeçare, u ka vënë këmbën në fyt qytetarëve, korrupsionin, me njerëz të krimit në parlament e administratë dhe kur reagon një prokurori, ka bërë hapa domethënës.

Arrestimi i Veliajt, që edhe nga burgu tregon se s’ka limite, edhe pse ndaj tij rëndojnë akuzat për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, dyshime.

S’e besoj të jetë parë kjo sjellje e politikës shqiptare dhe të kësaj mazhorance socialiste dhe kur janë nën akuzë kanë një arrogancë të pashoqe. Situata është kaq kaotike, sa ne media kemi harruar njerëzit e thjeshtë.

Edhe politika duhet të kalojë në sitë, pasi do të ketë më shumë kredibilitet. Komunikimet në sky ecc, s’mund të përdoren si provë e vetme në proceset penale.

Duhet të shërbejnë si indicie për SPAK, nëse shkojnë paralelisht me prova të tjera, atëherë duhet të përdoren si prova. GJK e mori në shqyrtim kur e kërkoi Berisha për nenin që SPAK përgjonte anëtarët e GJK, përgjimi i anëtarëve të GJK nga prokuroria.

Në disa momente duheshin rregulla të qarta të lojës. Gani Dizdari, ishte i vetmi që e ngriti zërin në atë kohë. ‘Do shkatërroni sistemin’, pati thënë.

Në kohën kur korrupsioni është kaq kapilar dhe krimi deri në qeveri, etja për të çuar përpara drejtësisë zyrtarët e lartë nga ana e qytetarëve është shumë e madhe. Duhen bërë disa shembuj”, theksoi ndër të tjera gazetarja Klodiana Lala.