Përgjimet pa lejen prokurorit nga policia, Avokati i Popullit i drejtohet Gjykatës Kushtetuese: Shfuqizojeni
Përgjimet pa lejen prokurorit nga policia, Avokati i Popullit i drejtohet Gjykatës Kushtetuese: Shfuqizojeni
19 SHKURT 2021
Institucioni i Avokatit të Popullit i ka dërguar një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e një neni të ligjit “Për Policinë e Shtetit” që lidhet me dhënien Policisë të disa kompetencave që lidhen me veprimtari infomative gjurmuese të qytetarëve në rrethana të ndryshme.
Avokati i Popullit konstatoi dhe vlerësoi se neni 8 i ligjit nr. 133/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar” vjen në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe me jurisprudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe atë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Përmbajtja dhe zbatimi i këtij neni cenon rëndë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut e krijon premisa që ta kthejë Policinë e Shtetit në një organ që mbikëqyr e gjurmon qytetarët jashtë një procesi penal dhe kontrollit të organeve kompetente.
Gjithashtu ai cenon dhe eleminon garancitë kushtetuese dhe mjetet ligjore të mbrojtjes së individit, si kontrollin gjyqësor, kufijtë e përgjimit, mbikëqyrjes e gjurmimit dhe kohëzgjatjen e aplikimit të këtyre masave si dhe detyrimin e strukturave të Policisë së Shtetit për asgjësimin e të dhënave të mbledhura.
Për këto arsye të qenësishme Avokati i Popullit iu drejtua Gjykatës Kushtetuese më 18.02.2021 me kërkesë për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe KEDNJ, të nenit të sipërpërmendur; si dhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të këtij neni.
Neni 8 i ligjit që kërkohet të ndryshohet
“Neni 131
Masa të veçanta
1. Gjatë veprimtarisë informative-gjurmuese, me qëllim parandalimin e veprave penale, zbulimin e veprave penale, identifikimin apo lokalizimin e autorëve të tyre, Policia e Shtetit merr, grumbullon, përpunon dhe dokumenton informacion dhe të dhëna nëpërmjet:
a) mbikëqyrjes së veçantë zanore të komunikimeve joelektronike të personave të dyshuar
në ambiente publike apo të hapura për publikun me autorizim të prokurorit;
b) mbikëqyrjes së veçantë vizuale të personave të dyshuar në vende publike apo të hapura
për publikun;
c) gjurmimit ose mbikëqyrjes së veçantë të personave të dyshuar nëpërmjet përdorimit të
mjeteve, pajisjeve apo teknikave të veçanta për identifikimin ose lokalizimin e vendndodhjes
së tyre.
- Kushtet, rregullat, procedurat dhe afatet që zbatohen për përdorimin e masave të veçanta
të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit
përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të drejtuesit të
Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
3. Ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, Prokurori i Përgjithshëm dhe
drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mund të
kontrollojnë në çdo kohë zbatimin e rregullave dhe procedurave të parashikuara në udhëzimin
e përbashkët të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni.”.
Gazeta Shqip