Periudha janar-prill 2024, KLSH gjen 20 mln euro dëm dhe menaxhim jo efektiv të parave publike
30 Maji 2024
Në 4-mujorin e parë të vitit Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar 29 subjekte nga të cilat 8 të qeverisjes qendrore dhe 21 njësi të vetëqeverisjes vendore duke konstatuar një dëm ekonomik dhe menaxhim jo efektiv të fondeve në vlerën mbi 2 miliardë lekë apo rreth 20 milionë euro.
Në buletinin e parë të këtij viti KLSH nënvizon se “gjatë periudhës janar-prill 2024, janë dhënë 134 rekomandime mbi gjetje me efekte negative në buxhetin e shtetit, për total vlerën 2,107,937 mijë lekë, nga të cilat: dëmi ekonomik vlerësuar 20,790 mijë lekë, menaxhimi jo efektiv i fondeve në vlerën 2,000,168 mijë lekë dhe 86,979 mijë lekë në mangësi në aktivitetin kontrollues tatimor/doganor”.
Raporti analizon se vlera e efekteve financiare me pasojë dëm ekonomik* në buxhetin e shtetit, është konstatuar në fushën e shpenzimeve, në zërin “Shpenzime në procedura prokurimi dhe zbatim punimesh” në shumën 20.6 mijë lekë, sa i takon shkeljeve në: përgatitjen e dokumentacionit të tenderit, hartimin e specifikimeve teknike dhe kritereve të vlerësimit, likuidimit të faturave për zërat e punimeve të pa kryera etj, ku peshën më të madhe e zënë subjektet si: Bashkia Fier në vlerën 5.2 mijë lekë; Bashkia Shkodër në vlerën 3.66 mijë lekë; dhe Bashkia Lezhë në vlerën 1.66 mijë lekë.
“Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë periudhës janar – prill 2024, ka evidentuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave, shpenzimeve dhe në përdorimin e fondeve publike në vlerën totale 2 miliardë lekë nga të cilat: 1.85 miliardë lekë në fushën e të ardhurave (ose rreth 93% e totalit) kryesisht në të ardhurat e qeverisjes lokale”, nënvizon KLSh.
Duke u ndalur në analizimin e fushave se nga ka ardhur ndikimi negativ tek bashkitë, audituesit konstatojnë se këto lidhet me detyrime për taksat dhe tarifat vendore, mos tarifimit/përllogaritjes së gabuar/mos aplikim të kamat vonesave për përdorimin e pronave të bashkisë nga subjektet private; detyrimeve të pashlyera për subjektet që ushtrojnë aktivitet në fushën e tregtimit të lëndëve djegëse me pakicë etj; dhe 145.9 mijë lekë në fushën e shpenzimeve (ose rreth 7% e totalit), si rezultat i shkeljeve të disiplinës buxhetore lidhur me likuidimin e shpenzimeve, keq menaxhimin e fondeve të programuara apo mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit jo në përputhje me kuadrin ligjor. Monitor.
Nga Gazeta Dita