Përjashtimi i Berishës. Basha sqaron ‘pazarin’ me Ramën: – Shqipëria ka vetëm një armik dhe ai është…
Përjashtimi i Berishës. Basha sqaron ‘pazarin’ me Ramën: – Shqipëria ka vetëm një armik dhe ai është…
10 SHTATOR 2021
Kryedemokrati Lulzim Basha ka mohuar akuzat e Sali Berishës se ai po bashkëpunon me Edi Ramën.
I pyetur nëse është e vërtetë se ka pasur një pazar mes tij dhe Edi Ramës, për shkarkimin e Berishës, Lulzim Basha u përgjigj shkurt.
“Shqipëria ka vetëm një armik dhe ai është Edi Rama”, tha Basha.
Basha nuk pranoi të përgjigjet për një tentativë për shkarkimin e tij dhe as pyetjes nëse ka pasur presion për të përjashtuar Berishën.
Pak më herët, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se përjashtimi i tij nga grupi i PD, është pasojë një marrëveshje e fëlliqur mes Ramës dhe Bashës.
“Ajo që ndodhi është një marrëveshje Rama-Basha në kurriz të zgjedhësve shqiptarë. PD është parti e lirive dhe të drejtave njerëzore, e kushtetutshmërisë dhe interesit kombëtar”, tha Berisha.
Berisha la të kuptohet se mund të ndërmarrë çdo nismë për largimin e Lulzim Bashës nga PD, ndërsa tha se vijon të jetë pjesë e grupit të PD.
“Do marr çdo nismë ligjore statutore brenda PD për rikthimin e saj në piadestalin që meriton. Unë jam ende anëtar i grupit të PD-së. Kompromisi Basha –Rama është nul, nuk ka mbështetje ligjore përveç fëlliqësisë morale”, tha Berisha.
Gazeta SHQIP