Përkeqësohen kushtet e motit, zbuloni çfarë do të ndodhë me temperaturat gjatë ditëve në vijim
3 Shtator 2023
Një front i ftohtë direkt nga veriu pritet të përshkojë territorin e Republikës së Kosovës dhe disa pjesë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duke shkaktuar ulje të ndjeshme të temperaturave dhe reshje e rrebeshe lokale shiu me ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.
Vranësirat do të fillojnë të grumbullohen sonte vonë gjatë natës ose orëve të hershme të mëngjesit të së hënës duke kushtëzuar edhe reshje lokale. Erërat do të fuqizohen dhe do të fillojnë të fryjnë nga veriu të cilat nganjëherë mund të jenë të fuqishme dhe mjaft të freskëta sidomos në viset kontinentale.
Fronti i ftohtë shumë pak do të ketë ndikim në viset bregdetare, megjithatë vende-vende edhe atje mund të ketë rrebeshe afatshkurtra shiu me ndonjë vetëtimë dhe bubullimë sidomos në jug dhe perëndim të Shqipërisë. Ulja e temperaturave në viset bregdetare do të jetë afatshkurtër, prandaj edhe vranësirat e herëpashershme do të largohen nga mesi i javës. Vranësirat nuk do të mungojnë edhe në zonat bregdetare sidomos në fillim të javës së re.
Në tërë rajonin (kontinental) e hëna dhe e marta pritet të jenë të freskëta dhe me vranësira e reshje të herëpashershme lokale. Erërat nganjëherë do të jenë të fuqishme nga veriu dhe verilindja. Nga e mërkura përmirësim gradual i motit në tërë rajonin.
Gazeta Sot