Perkeqesohet gjendja: – 33 biznese mbyllen ne dite. –
Perkeqesohet gjendja: – 33 biznese mbyllen ne dite. –
Mesatarisht gjatë muajit prill, 33 biznese kanë bërë kërkesë çdo ditë për të pezulluar aktivitetin e tyre. Sipas të dhënave qëDrejtoria e Përgjithshme e Tatimeve përditëson çdo ditë, vetëm gjatë muajit Prill kaluan në status pasiv 1000 biznese në të gjithëvendin.
Prej fillimit të vitit dhe deri më tani kanë kaluar në statusin pasiv 4,222 biznese me një rritje prej 7% në krahasim me të njëjtën periudhë me një vit më parë.
Numri më i madh i bizneseve të mbyllura është shënuar gjatë janarit, ku bënë kërkesë për të kaluar në gjendje pasive rreth 1400 biznese, 12% më shumë se në janarin e 2018-s.
Kalimi në status pasiv, me kusht
Megjithatë në raport me një vit më parë ritmi i rritjes së bizneseve që kalojnë në statusin pasiv është ngadalësuar. Me ndryshimin e procedurës tatimore, bizneset nuk mund të kalojnë në statusin pasiv pa mbyllur të gjitha detyrimet me Tatimet.
Shumë tatimpagues për t’iu shmangur detyrimeve tatimore, vendosnin të kalonin subjektin në statusin pasiv. Pezullimi ishte pa asnjë kusht. Duke pezulluar aktivitetin, ato shmangin pagesën në kohë të detyrimit tatimor. Tatimpaguesit janë të detyruar që para se të kalojnë në statusin pasiv të paguajnë detyrimet.
Një subjekt transferohet nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv në rast se përmbushet, të paktën, një nga kushtet e mëposhtme:
- nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
- nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
- deklaron në QKB pezullim veprimtarie tregtare dhe paguan të gjitha detyrimet tatimore.
Për të shmangur detyrimet tatimore, apo për të mos paguar ndonjë gjobë të marrë, bizneset që kërkonin të bënin shmangie, kalonin në statusin pasiv.
Për periudhën që biznesi qëndron në regjistrin pasiv, tatimpaguesi nuk paraqet deklarata periodike tatimore dhe ndaj tij nuk llogariten gjoba për mosdeklarim. Tashmë, nenit 44 në ligjin për procedurën tatimore, i është shtuar pika 4/1, i cili përcakton se kalimi në regjistrin pasiv do të bëhet vetëm pasi QKB të verifikojë më parë pagimin e detyrimeve tatimore nga ana e tyre.
Gazeta Shekulli.