PERKRENARJA E SKANDERBEGUT -Nje shkrim i Shtjefen Gjecov Kryeziut para 114 vitesh.-
Në Muzeun e Vjenës ruhet kurora a si i themi ndryshe perkrenarja ose helmeta e Skanerbegut. Kjo përkrenare asht nji kësulë metali me nji krye dhendun në te, bame per me mbulue kryet n’luftë e që thohet se Skanderbegu e pat dhanti1 prej Regjit2 të Napolit, kahë viti 14593
Trajta e kësaj përkrenarje asht fort e vjeter. Vetë unë këtu dua me deshmue me pak fjalë burimin e sajë, edhe pse populli shqiptar, kur don me diftue trimnitë e ndokujë, thotë se asht “burr me brina”
Shtjefen Gjecov Kryeziu.
*
* *
Mitologjia na mëson se Neptuni e Plutoni kur vendosen me i dalë doret sundimit të vllaut të tyne Jovit, ky shikimit u verbue, e i fshehun nën hije të nji dashi të rrebtë e brinoç, i ndoç, i muajti e i pervuni4 dy vllaznitë e vetë. Për këtë arsye Jovi tmerrohej prej Egjiptasve nën hije a gjasim të dashit dhe e quanin “Jovi Amoni”5. Edhe në luftë kundra Viganëve (gigantes) Jovi pati marrë gjasimin e dashit. Nen shembylltyrën e dashit i qenë ngritë Jovit faltore në Libi6.
Dy vetë në ma të permendunit i kena të cilët prej bindjet që kishin ndaj Jovit donin me i perngja edhe ne trimni kësaj hyjnije të brinueme7. I treti e ma i mrami u perngjau dy të parve të vet.
- Leka i Madh i Maqedonisë, 356 – 323 para Krishtit.
Mbasi hypi në cip të lumnisë ky burrë qysh se ishte gjallë dëshironte ta thirrnin dhe ti bindeshin për hyjni. Kombet e vume nën purtekë8 të tij, fjalës e urdhnit ju gjegj do e mos do, grekët e thirrshin hyjni, e indianët e quanin “biri i Jovit”.
Për me i ngjasue Jovit të brinuem, Leka pat emetue do të holla (monedha) të hijeshueme me brina9.
Madhnia e trimnia e Lekës, edhe ma çiltas dallohen ne nji diplomë të gjetun në nji bibliotekë të Kostandinopojës e cila fillon kështu; ”Nos Alexander, Filippi Regis Macedonum filius, Archos Monarchiae figuratus, Graecorum Imperii inchcator, Magni Iovis filius per Anachtabanum Regem Aegypti annunitiatus, Braget a meridie usque ad septentrionem Dominus, Persarum et Medorum Regnator, Solis et Lunae corculcator…
Datum in magni Nili ripa Anno duodecino Regnorum Nostrorum, arridentibus magnis D. is Iove, Marte, Plutone et Minerve”10
- Pirri i Epirit, 319 -272, para krishtit
Kush asht njaj qi mundet të thotë se si ka ra në vesh hovi i rrebtë ndër lufta i Pirros të Pirridajve11. Trimërinë e shpejtësinë e tij ne të mundur e në të përmbysun të armiqve e deshmojnë fjalët e ushtrisë shqiptare të cilët me nji të gufuem zemre e thirrne “Shqype” mbas luftës së lavdishme të Pirros me Pantaukun, krye-prijësin e ushtrisë së Demetrit të Maqedonisë.
Pirro duke vënë re kënaqësinë e gazmendin në ushtri të vet, e tuj vëzhgue at përthanie të madhnueshme që ja njiten ushtarët e vet, u pergjigj: ”Paj po! E qysh mos të hovem në fluturim të madhnueshëm unë, tuj qenë armët tuaja flatrat e mija12.” Një natë para se u nis Pirro me msye Beren, në gjumë ju ba se pa Lekën e Madh shtri në nji shtrat e të lanun fuqiet prej ligësijet, i cili e thërriste. Pirro me za të Lekës u çue, në anderr edhe ju afrua shtratit të tij. Leka me ftyrë të qeshun e me dashamirsi të madhe e trimnoj Pirron, që të nisej në luftë pa i luajt berthama e synit, se ky (Leka) gjindej gadi me i ndihmue ne çdo rrezik.
Pirro i dha zemer vehtes edhe e pveti Lekën: ”Si mund të presë ndihmë prej teje, o Mret, kur ti je shtrirë, e i smutë?” Leka ju pergjigj: ”Me emënin tim – ky ka me i shti drthmen botes.”
Pirro, i cili i përngjiste Lekës si për kah duka, si për shkathtesinë nder drethitë ushtarake, dhe si për trimni e hov nder luftëna, mbrrini me hetue e me ja vjedh zemren ushtrisë së Maqedonisë me punë e vetia të kandëshme, që të ngjante tek ato hija e Lekës së Madh, edhe bani që ushtrija, ti kthete shpinen Dimetrit të tyne tuj ju perkulë Pirros e tuj e njoftë për mbret. Por ende para se ju perkulne këti burrit, ushtrija maqedonase shperndahej lagje-lagje për me muajt me pa ftyrën e Pirros, e me e vertetue pale a i perngjet Lekës së Madh si kallzojshin.
Tue vu re Pirro, se ushtrija e Maqedonisë smund po e dallonte prej zyrtarësh tjerë të ushtrisë së tij, për shkak që as perkrenaren se kishte pasë mbi krye, u kujtue e me at hov e rroku perkrenaren të hijeshueme me brina dhijet, e e vuni ne krye, e kështu maqedont e njohen.
III. Gjergj Kastrioti, 1405 – 1468, mbas Krishtit.
Punët e bindëshme e trimnitë e rrebta të Skanderbegut skam pse i tjerr gjatë, per arsye se s’asht kush në Shqipni që nuk i madhnon. Ky burr trim-trimash aq ju pat përngja të parve për kah burrnija e trmnija, që kje thirrë Leka i Madh i dytë. Mjafton me lexue letren që Skanderbegu i pati dergue Jak Picinit ne të cilën thotë: “Per, në don me ditë kush jena; të paret tonë qenë Epirotas prej të cilve duel Pirro i Madh që shumë pjesë të Italisë i përvuni me shpatë të vetë, e hovin e tijë smunden me e pritë as Rromakt e hershem… Per në don me u thanë Maqedonas të parve tonë, ato qëne edhe ma të permendun, pse nen Lekën e Madh u shtyn deri në Indi duke perulë gjithkah njerzit qi shkojshin tuj msy…”
Në nji tjetër vend prap këndohet se Skanderbegu duke dashtë me i tregue Jak Picinit trmninë, fisnikërinë, bujarinë e gjanësinë e zembrës që kanë pasë dhe kanë shqiptarët ndaj robve të zanun në luftë, i nxori për pasqyrë Pirron tonë; “Po më bjen nder mend puna e ndershme dhe e madhnueshme e Pirros, Mbretit tim të Epirit, i cili u ktheu Rromakve të gjithë sa robë ju pat zanë në luftë, pa i kerkue për to as çmim as shperblim”.
Perkrenarja e ketij fatosi, pra asht e hijëshme me brina të dhisë, si qenë ato të Lekes së Madh e të Pirros së Piridajve.
Të tre këta Levena kjenë “Burra me brina.”
Hylli i Drites. Shkoder, 1914, nr. 7. f. 220-222.
————————————
*) Pergatiti shenimet: J. Brahaj. Gjeçovi me këtë shkrim publiçistike me argumenta historikë mundohet te shpjegojë lashtësinë e perkrenares së Skenderbeut.
1). Dhanti – Dhuratë.
2). Regji – Mbreti.
3). Këtu Gjeçovi nuk është i saktë. Një perkrenare thuhet se u pergaditë dhe ju dhurua Skenderbeut nga Papa, por Skenderbeu këtë kurorë-perkrenare e pati trshëgim të titullit të fisnikërisë e të trashëgimisë mijravjeqare të familjes ose të fisit të vetë.
4). Pervuni – I vuri përposhtë.
5). Jovi Amoni – Kështu e quanin rromakët perendinë e lashtë pellazge. Jovi ose Gjovi është Zojsi, (Zeusi).
6). Kjo tregon për njohjen e gjërë që kishte Gjeçovi për monumentet e mitologjinë e lashtësisë, por nuk ka lidhje me trashëgiminë e kurorës-perkrenare të Skenderbeut.
7). I brinuem – me brirë.
8). Purteka është shkopi që mbajne mbretërit (skeptri).
9). Aleksandri i Madh pati emetuar monedha me portretin e tij, ku paraqitet me perkrenare në të cilën dallohen brirët.
10). Nuk ja njohim burimin këtij dokumenti që ta komentojmë këtu.
11). Pirridajve, kështu e shkruan Gjeçovi fisin e Pirros së Epirit.
12). Pirro e pranon që është shqiponjë.