Përkthimet e Halit Selfos nën presionin e vdekjes.-

Interviste me: Diana Omarit.

Fatmira Nikolli  – Nga Guliveri shqiptar te robinsonada e përkthimit: me ‘Djemtë e rrugës Pal’, “Rreth botës për 80 minuta”. Zor se një fjali ia del të përmbledhë jetën e stuhishme të një 46-vjeçari, që kur u nda nga jeta la pas tre fëmijë të mitur dhe 50 vepra të përkthyera.
Vetëm “Udhëtimet e Guliverit”, ndër vise të largëta të dheut, i përkthyer nga Halit Selfo, që qe botuar nga Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve në Tiranë më 1958 e pati tirazhin 10 mijë kopje.
Ai kishte përkthyer nga disa gjuhë, frëngjishtja, italishtja, anglishtja, ndaj kishte shqipëruar “Zemra” të De Amicis, “Djemtë e rrugës Pal” të Ferenc Molnar, “Udhëtimet e Guliverit”, “Konti i Monte Kristos” të Dymasë dhe një seri veprash të Zhyl Vernit, nisur nga “Djemtë e rrugës Pal”.
Në shtëpizën e vogël ku jetonte, kishte marrë edhe familjen e së shoqes, edhe ajo e përndjekur politike. Jetonin 10 veta në një dhomë, ndaj shpesh, kur Halit Selfo donte qetësi, e kishte zakon të shkonte në hotel Vollga, të merrte një dhomë e të përkthente si duhej, kur dhimbjet e linin.
“Kur përktheu ‘20 mijë lega nën det’ kishte specie që nuk i njihte. Haliti shkoi në Durrës e gjeti peshkatarë të vjetër, foli me ta gjerë e gjatë, derisa sa mësoi ç’i duhej për detin. Përktheu 50 vepra para se të vdiste, të fundit e përktheu me dhimbjen e katër tumoreve në kokë, ashtu i qetë, i pafjalë”. Përshkrimet e Diana Omarit, kunatës që Haliti e pat marrë në shtëpinë e tij dhe e pat rritur, të flasin për një burrë që përkthente e punonte, sikur gjithë dhimbja e botës, të fashitej vetëm prej punës. Atëkohë, ia patën pushkatuar dy vëllezër, e njërin, për bombën në Legatën Jugosllave. Ditën pas pushkatimit, Haliti kish vënë një kravatë të kuqe, e kish shkuar në punë, duke i pritur ngushëllimet me fjalën “mirëmëngjes”. Por dhimbja e shtrënguar fort vetëm për vete, e mundi shpejt dhe ai ndërroi jetë në moshën 46-vjeçare. Sapo kish dorëzuar “Kontin e Monte Kristos” për botim.

Ai kishte lindur më 1918 në një familje tregtarësh gjirokastritë. Kishte ndjekur Liceun Francez në qytetin e Korçës, e mandej pat shkuar të kryente studimet e larta në Padova për Ekonomi-Biznes. Pushtimi fashist i Shqipërisë e detyroi të kthehej në atdhe dhe të merrte pjesë në luftën antifashiste. Pas çlirimit pat punuar redaktor në gazetën ushtarake “Luftëtari”. U burgos si “Armik i Popullit” dhe e vuajti dënimin në burgun e në kampin famëkeq të Maliqit. Pas lirimit nisi përkthimet e letërsisë botërore, fillimisht si punonjës i jashtëm i ndërmarrjes “Naim Frashëri” dhe më pas i përhershëm. Sot renditet ndër mjeshtrit e përkthimit mes Sotir Cacit, Vedat Kokonës, Spiro Çomorës etj. Në 100 vjetorin e lindjes së tij, “Botimet Zenit” kanë risjellë veprat e Selfos dhe një përkujtimore që u mbajt në stendën e Zenit, në Festivalin “Ditënetët e Librit” që mbahet në Muzeun Historik Kombëtar (16-20 maj). Ndërkaq, “GSH” në një bisedë me Diana Omarin, kunatën e Halit Selfos, sjell një portret të njeriut e përkthyesit, demiurgut të gjuhës.
-Si e mbani mend Halit Selfon?
Kur u martua ime motër kam qenë vetëm 10 vjeçe. Kam qenë si një fëmijë i tij që edhe në krevat më ka mbajtur. Kur kemi ardhur në Tiranë kam qenë 14 vjeç. Nga ana njerëzore Haliti ka qenë një njeri i mrekullueshëm, shumë zemërbardhë, shumë bujar, shumë i gjindshëm. Për gjithë njerëzit sakrifikonte gjithçka nga vetja e vet, vetëm që të plotësonte dëshirat dhe nevojat e njerëzve.
Unë i jam mirënjohës edhe në emër të familjes sime, që na hoqi nga baltërat e Fierit, ku po na hanin të gjallë, ku na kishin degdisur për shkak të biografisë që kishim. Ishte gjëja më e mirë që bëri, na mori nga atje, na solli në Tiranë dhe na mbajti në shtëpinë e tij. Jetonim në shtëpinë e tij të vogël, të tërë në një dhomë me një banjë që ishte pa asnjë instalim hidrosanitar. Kemi jetuar aty 10 veta me fëmijë të vegjël, ishin dy binjakë dhe me nënën e Halitit që ka qenë një zonjë e mrekullueshme. Ka qenë nga familja e Karagjozëve, një zonjë e mrekullueshme.
-Problemet tuaja në biografi, ishin për shkak të mbiemrit Omari?
Unë kam vuajtur sigurisht edhe nga Frashëri edhe nga Omari. Ishte e pamundur që të merrja punën që më takonte. Për arsye ekonomike ndërpreva shkollën dhe pasi hyra në punë si punëtore e thjeshtë, bëra shkollë nate, ekonomikun. Nuk punova dot asnjëherë më shkollën e ekonomikut, sepse kudo që shkoja më dilte vula e zezë.
-Edhe vetë Haliti kishte problemet e veta me regjimin, për shkak të vëllait që ishte pushkatuar. Çfarë dini ju për këto probleme?
Shumë probleme kishte. Haliti kishte gjashtë vëllezër, e ai vetë i shtati. Nga këta unë kam gjetur, 6 se njëri, Syrjai, vëllai i gjashtë Halitit, është pushkatuar, duke e nxjerrë nga qelia pas shumë torturash, pothuaj të vdekur, e kanë pushkatuar. Syrja Selfo ka qenë krahu i djathtë i Enver Hoxhës gjatë luftës. Këta kishin edhe lidhje familjare me Enver Hoxhën, sepse halla e Halitit, ka pas marrë baba Çenen, xhaxhanë e Enverit, ndaj kishin pasur edhe hyrje e dalje familjare.
-Është ky, që i ka dhënë kostumin e dasmës, Enver Hoxhës?
Po, ai është. Ndërsa i madhi, Reiz Selfo unë e kam arritur, por, për fat të keq, nuk e njoha se ime motër u martua në 1950-ën ndërsa më 1951 ai u pushkatua në shkurt për çështjen e së ashtuquajturës, bombë në Legatën Jugosllave. Është marrë nga shtëpia me pizhame dhe direkt është pushkatuar. Të gjitha këto Haliti i ka vuajtur shumë, kuptohet. Ndërsa pesë të tjerët kanë vuajtur me kancer, që nga Haliti, Qazimi, Fejziu, Masari dhe Xhevati. Siç e dimë, kanceri është sëmundje që vjen prej stresit.
Kur është pushkatuar Reisi më 26 shkurt, Haliti ka vajtur në mëngjes në zyrë me kravatë të kuqe. Gjithë shokët, i kanë dhënë dorën duke i thënë: mirëmëngjes Halit, sepse nuk mund ta ngushëllonte njeri. Ai kishte shumë dhimbje dhe unë nuk e di, se ku e gjente ai atë forcë, e atë kurajë për të përballuar jetën e për të mbajtur hallet e të gjithëve ne: të familjes së tij e tonës. Mbante, gjithë hallet e Selfove dhe familjeve të grave të tyre, sepse ata ishin martuar me vajza me njolla në biografi. Ishim të gjithë njerëz me vulë në kurriz, disa vulë borgjeze e disa reaksionare. Katër vjeçe isha unë, kur më arrestuan babanë.
-Me gjithë vdekjet e pushkatimet e familjarëve, me gjithë presionin dhe luftën e klasave, Halit Selfo, mes varfërisë e dhimbjes, mundi të përkthente?
Të përkthente dhe vepra të mëdha e të vështira. Kur ka përkthyer “Kontin e Monte Kristos” ka pasur katër tumore në kokë. Nuk ia dinim sigurisht, por ai çmendej nga dhimbja kokës, edhe ne thoshim pse i dhemb koka aq shumë. Atëherë nuk kishte as skaner, e as ezhe. Derisa vdiq ne nuk e dinim mirë çfarë kishte. I mësuam katër tumoret, nga autopsia. Doktor Nikolla Dushniku, ia diktoi kancerin, por qe e vështirë të mbijetonte.
-A fliste ai për dhimbjen e tij në shtëpi, për vëllezërit që iu pushkatuan?
Jo, nuk fliste ai në shtëpi për këtë. Unë kam qenë shumë e re sigurisht dhe me mua nuk mund të fliste për këtë. Fëmijët ishin të vegjël dhe ishte frika që na mbante, na tkurrte. Unë vetëm kur kam qenë e vogël, kur më thoshin kë do më shumë: babanë tënd a Enver Hoxhën- doja të thosha që doja babanë, por kisha frikë dhe thosha dua Enver Hoxhën. Shtrydhesha që të thosha babanë, por më thoshin se duhet të duash Enverin dhe thosha “Enverin dua”. Ki parasysh se në çfarë presioni jetonim ne. edhe kur erdhëm në Tiranë, Haliti nuk fliste me ne kurrë, mbase me time motër, me të shoqen, po, por jo me ne.


-Ju e keni ndihmuar atë për përkthimin. Çfarë bënit konkretisht? Daktilografonit?
Ai përkthente me shkrim dore, ndërsa unë ia diktoja daktilografit. Dhe nga daktilografi, unë i merrja dhe me fjalor përpara bëja korrigjimet, korrektimet. I bëja me fjalor, se po të mos kisha fjalor në dorë, nuk më linte. Por ai kishte besim te unë se unë kam qenë nxënëse e shkëlqyer. Më linte pa frikë ta ndihmoja.