21 Nentor 2023

Më 21 nëntor 1999, ndërroi jetë këngëtarja lirike, Marie Kraja. Kraja ishte ndër solistet e para të premierës së Teatrit të Operas dhe Baletit të porsathememeluar. Mori pjesë gjithashtu në operën e parë shqiptare “Mrika”.

Artistja i kreu studimet e larta për kanto në Konservatorin e Graz-it në Austri, në vjetët 1930-1934. Më pas do të kthehej në Shqipëri, ku do të niste të shërbente si mësuese muzike në Institutin “Nëna Mbretëreshë”. Ndonëse e angazhuar profesionalisht jashtë vendit, karriera e saj do të lidhej ngushtë me muzikën shqiptare.Rreshtohej në plejadën e parë të këngëtarëve vendas: Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja etj. U ngjit në skenat e mirënjohura evropiane për veprat: “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros” etj.

Aktiviteti i saj pedagogjik e nisi me krijimin e shkollave të para të muzikës në Shqipëri, Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë (1946) dhe Konservatorit Shtetëror të Tiranës (1962). Për meritat e saj si artiste dhe si mentore, Maria Kraja u nderua me titullin “Artiste e Popullit”, me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë, si edhe me medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës”.