Perla turistike e Shqipërisë jepet me qira sa një kioskë
Perla turistike e Shqipërisë jepet me qira sa një kioskë
Nga Gazeta Telegraf
27 Gusht, 2019
Qeveria vendosi që Drilonin e famshëm në Pogradec t’ia japë me qira privatit për 170 mijë lekë në muaj. Pas votimeve të 30 qershorit, pushtetarët e rinj lokalë, ata qendrorë dhe oligrakët e tyre po zhvatin çdo gjë që u del përpara. Edhe pse FMN këshillon qeverinë t’i japë fund PPP-ve, kjo e fundit nuk ndalet në babëzinë e vet
Koncesioni, pas votimeve të 30 qershorit: Hapet gara për dhënien e Drilonit me qira, 170 mijë lekë në muaj.
Resorti më turistik i Shqipërisë jepet me qira sa një kioskë
Kur kryeministri Rama u kërkoi shqiptarëve, që në 2017 PS-ja ta kishte e vetme Timonin e qeverisjes, në të vërtetë, nuk e kërkoi votëbesimin, që të mirë-qeveriste, por që Tepsinë e të mirave materiale të Shqipërisë ta administronte i vetëm. Ndërkohë, që siç thotë populli, oreksi vjen duke ngrënë, qeveria e Rilindjes, në 3 vitet e fundit, ka dhënë me koncesion gjithë pasurinë e Shqipërisë në nivel qendror, ku, sipas të dhënave të BB, FMN dhe INSTAT, faturat e PPP-vë shkojnë deri në 2 miliardë euro, ndërkohë që borxhi i Shqipërisë po të llogaritet edhe fatura e PPP-ve shkon mbi 83 %. Kryeministri Rama zhvilloi votimet për bashkitë në 30 qershor, pa opozitë, në kundërshtim me Dekretin e Presidentit, i cili e shfuqizoi 30 qershorin si datë të zgjedhjeve, pikërisht, që “Tepsinë” e Pushtetit Vendor ta administronte i vetëm, sikurse ka edhe “Tepsinë” e pushtetit qendror.
Edhe bashkitë e fillojnë punën me …koncesionet
Bashkia e re e Pogradecit, e 30 qershorit, e fillon punën e re, pikërisht me koncesion, duke dashur të japë me koncesion 10 vjeçar një nga resortet turistike më të lakmuara të Shqipërisë, Drilonin, me çmim qesharak prej 170 mijë lekë në muaj. Albturist ka hapur garën për dhënien me qira të Drilonit, pikës turistike në Tushemisht të Pogradecit. Lajmi u bë i ditur në buletinin e prokurimeve publike ku është njoftuar hapja e ankandit për dhënien me qira të “Drilon 2” me sipërfaqe të përgjithshme 2500 m² , nga të cilat 605 m² nën objekt dhe 1895 m² sipërfaqe funksionale, në administrim të shoqërisë “Albturist T.O” sha, në Tushemisht, Pogradec. Sipas njoftimit në APP, dhënia me qira e pasurisë bëhet me qëllim përdorim të saj për ushtrimin e aktiviteteve ekonomike, të cilat gjenerojnë të ardhura për shoqërinë dhe nxisin rritjen e punësimit dhe investimit. Vlera dysheme për detyrimin e qirasë, për fillimin e konkurrimit, është 172 600 (njëqind e shtatëdhjetë e dymijë e gjashtëqind) lekë në muaj. Konkurrimi do të zhvillohet më datën 9 shtator, në orën 10:00, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe afati i dhënies me qira të kësaj pasurie është 10 (dhjetë) vjet. Shoqëria “Albturist T.O” sha, në cilësinë e njësisë administruese të pronës, ka vendosur kritere shtesë të tilla, që objekti mund të jepet me qira vetëm duke ruajtur destinacionin e tij fillestar, që është ushtrimi i veprimtarisë turistike në fushën e akomodimit turistik. Në ngarkim të “Qiramarrësit” janë të gjitha tatimet dhe detyrimet që rëndojnë, mbi pronën e dhënë me qira sipas legjislacionit në fuqi.