Përmbytet Italia dhe Turqia, uji vërshon në Sardenjë e Izmir
1 Qershor 2023
Reshjet e dendura të shiut përmbytën ishullin italian të Sardenjës këtë të mërkurë.
6 familje u evakuan, teksa uji vërshoi brenda banesave duke mbushur bodrumet.
Këto reshje vijnë pas një jave të tmerrshme që përjetoi rajoni verior i Emilia Romagnias, ku humbën jetën 15 persona. 36 mijë banorë u evakuan dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre janë rikthyer tashmë në shtëpitë e tyre.
Pasojat të motit të keq duken edhe tek objektet kulturore. Libra, dorëshkrime që datojnë qindra vjet më parë u transferuan nga bibloteka Trisi në Lugo e cila u përmbyt, drejt një tjetër destinacioni më të sigurtë. Shumë materiale janë dëmtuar, ashtu si dhe afreske të ruajtura nëpër muzetë e zonës.
Për këtë arsye qeveria italiane ofroi një fond prej 2 miliardë eurosh, nga i cili do të përfitojnë edhe bizneset dhe fermerët e dëmtuar. Po ashtu, ajo mori vendim që çmimi i biletave për në muzetë shtetërore të rritet me 1 euro dhe paratë e mbledhura do të shkojnë për riparimin e institucioneve kulturore.
Edhe Turqia është përballur me mot të paqëndrueshëm.
Në pamje duket uji që vërshon nëpër rrugët e qytetit të Izmirit, ndërsa mjetet dhe disa shtëpi u përmbytën. Tregarët e Komundës Cigli akuzuan drejtuesit për mungesën të investimeve në infrastrukturë, pasi situata sipas tyre është e përsëritur.
Nga OraNews