Përmbytjet bëjnë kërdinë në Spanje, alarm i kuq në disa zona
29 Tetor 2024
Shiu i rrëmbyeshëm, përmbyti rrugët dhe qytetet sot në Spanjën juglindore, duke bërë që autoritetet në zonat më të goditura të këshillojnë njerëzit të mos dalin jashtë dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.
Agjencia spanjolle e motit AEMET dha alarmin e kuq për pjesën lindore të rajonit të Valencias dhe alarm të verdhë për pjesë të Andaluzisë në jug, ku një tren doli nga shinat për shkak të shiut të dendur, megjithëse askush nuk u lëndua.
AEMET pret që Valencia të jetë qyteti më i goditur nga stuhia, teksa parashikohet më shumë se 90 mm shi në më pak se një orë ose 180 mm në më pak se 12 orë.
Shkollat, gjykatat dhe shërbimet e tjera thelbësore u pezulluan në Carlet dhe qytete të tjera pranë Valencias.
Stuhia goditi fillimisht Andaluzinë. Në El Ejido, një qytet mesdhetar i njohur për serat e tij, një stuhi breshëri shkatërroi qindra xhama makinash dhe përmbyti rrugë.