“Përplasen” anijet luftarake ruse dhe amerikane, incident mes dy superfuqive në detin arabik

10/01/2020

Media amerikane CNN ka njoftuar ditën e sotme se është shënuar një incident dhe një provokim nga pala ruse në detin arabik. Një anije luftarake ruse “iu afrua ne mënyrë agresive” një anijeje luftarake të marinës amerikane ndërsa ishte duke vepruar në Detin Arabik të Veriut këtë të enjte, duke injoruar paralajmërimet nga anija amerikane dhe duke rritur rrezikun e një përplasjeje, ka raportuar CNN.

Video e incidentit, tregon se anija luftarake ruse afrohet me shpejtësi drejt USS Farragut, duke iu afruar deri në 180 m largësi anijes amerikane përpara se të ndryshonte plotësisht kursin. Ky njoftim ka ardhur nga zyrtarët e mbrojtjes amerikane.

Incidenti është shembull i tregimit të forcës midis forcave ushtarake amerikane dhe ruse,  që zyrtarët amerikanë e kanë cilësuar si të pasigurt dhe provokues.

Ky incident vjen afro shtatë muaj pas incidentit tjetër, që ndodhi në oqeanin Paqësor, kur anijet luftarake amerikane dhe ruse iu afruan aq afër njëra tjetrës, saqë anijes amerikane iu desh të kryente një manovrim urgjent, për të shmangur një përplasje.

Në një deklaratë Flota e marinës amerikane e cila mbikëqyr operacionet detare në lindjen e mesme tha:

“Të enjten, 9 janar, ndërsa “USS Farragut” po kryente operacione rutinë në Detin Arabik,  u afrua në mënyrë agresive një anije e Marinës ruse“.

“Farragut dha sinjalin detar ndërkombëtar për rrezikun e një përplasjeje, dhe kërkoi që anija ruse të ndryshojë kursin në përputhje me rregullat ndërkombëtare detare. Anija ruse fillimisht refuzoi, por më pas ndryshoi kursin“, thuhet në këtë deklaratë.

Anija ruse përfundimisht u largua pasi u vendos komunikimi përmes radios me anijet shkatërruese amerikane.

Një zyrtar i marinës amerikane thotë se “USS Farragut” është pjesë e grupit të transportuesve të avionëve “USS Harry S. Truman” dhe “Farragut” të cilat kanë për detyrë të përgjojnë anijet e mundshme të armikut, dhe t’i parandalojnë ata të afrohen tek transportuesi i avionëve.

Pas incidentit të qershorit, Marina amerikane akuzoi një anije luftarake Ruse, se kishte ndërmarrë një veprim dyshues dhe provokues, duke u afruar në largësinë 100 metra nga “USS Chancellorsville”, duke detyruar anijen amerikane të kryejë një manovër emergjente për të shmangur një përplasje.

Në videon e marrë nga anija amerikane, të dy anijet afrohen aq shumë sa që marinarët rusë mund të shihen duke bërë banjë dielli në skajin e anijes së tyre.

/abcnews.al