“Përplasja” për bustin e Skënderbeut në Lezhë, reagon ministria e Kulturës
“Përplasja” për bustin e Skënderbeut në Lezhë, reagon ministria e Kulturës.
1 mars 2019
Pas shembjes nga IKMT, të bazamentit ku do të vendosej busti i Skënderbeut, ka reaguar Ministria e Kulturës.
Në reagimin e saj Ministria sqaron se vendosja e bustit është bërë nga Bashkia Lezhë pa leje, dhe për këtë arsye u morën masa për pezullimin e punimeve.
Sipas ministrisë, leja për vendosjen e bustit të Heroit Kombëtar, nuk u bë për arsye se dokumentacionet e paraqitura nga Bashkia Lezhë kishin mangësira.
Në reagimin e saj, ministria bën thirrje për ndalim të punimeve, ndërsa shton se projekti për vendosjen e shtatores të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut në sheshin “Gjergj Fishta”, Lezhë, parashikohet të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar të Restaurimit dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.
Reagimi i MInistrisë:
Në lidhje me ndërhyrjet në sheshin “Gjergj Fishta” në Bashkinë Lezhë, Ministria e Kulturës Ju bën me dije se:
Me datë 19.02.2019 Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër konstatoi kryerjen e punimeve pa leje nga ana e Bashkisë Lezhë në sheshin “Gjergj Fishta” dhe mori masat për pezullimin e çdo punimi deri në marrjen e miratimit pranë instancave përkatëse.
Sheshi “Gjergj Fishta” në qytetin e Lezhës ndodhet brenda zonifikimit arkeologjik, zona “A”, sipas Vendimit e Këshillit të Ministrave Nr. 728, datë 01.09.2010 “Për shpalljen e zonave arkeologjike A dhe B të qytetit të Lezhës dhe miratimin e rregullores së administrimit”, për këtë arsye Instituti i Monumenteve të Kulturës kërkoi nga Bashkia Lezhë dorëzimin e projektit për shqyrtim.
Projekti “Vendosja e shtatores së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut”, në sheshin “Gjergj Fishta”, u dorëzua me mangësi nga Bashkia Lezhë me datë 26.02.2019 si dhe me datë 27.02.2019.
Duke vlerësuar situatën Instituti i Monumenteve të Kulturës i drejtohet Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit me datë 27.02.2019 për pezullimin e punimeve dhe marrjen e masave të menjëhershme për prishjen e punimeve të kryera në kundërshtim me ligjin nga Bashkia Lezhë dhe kthimin e territorit në gjendjen e mëparshme.
Aktualisht, projekti për vendosjen e shtatores të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut në sheshin “Gjergj Fishta”, Lezhë, parashikohet të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar të Restaurimit dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.