Përplasjet me Gjiknurin, Dritan Leli drejt dorëheqjes si kryebashkiak, ja oferta që i bëri Rama. Afrim Qendro do bëhet…

6 mars 2021

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, pritet të japë dorëheqjen pas kërkesës që Kryeministri Rama i ka bërë për të qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në këtë qark. 

Mësohet se ky propozim ka ardhur pas përplasjeve që Leli ka pasur me drejtuesin politik të PS-së në këtë qark, Damian Gjiknurin, të cilët janë dy nga pikat e forta të rezultatit zgjedhor në këtë bashki.

Aq e dukshme është kjo, saqë nënkryetar të Bashkisë Gjiknuri ka vendosur Afrim Qendron, i cili si edhe Leli, u shpërngul nga Tirana në Vlorë.

Qendro ka qenë drejtues i shtabit elektoral të PS-së në këtë qark, ndërsa kujtojmë se ka qenë një nga bashkëpunëtorët e vjetër të Gjiknurit, kur ai ishte ministër i Energjetikës dhe Infrastrukturës.

Afrim Qendro mbante postin e drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Mësohet se drejtuesi politik i qarkut e konsideron Lelin një pikë jo të fortë elektorale për Partinë Socialiste në këtë qark, ku kandidon për një mandat të tretë edhe Kryeministri Rama.

Këto ditë Rama i ka bërë Dritan Lelit një ofertë, që ai nuk mund ta refuzojë. I ka kërkuar të japë dorëheqjen nga Bashkia dhe të pranojë të futet si kandidat për deputet në listën e Vlorës.

Një lëvizje e tillë edhe justifikon mënjanimin e Dritan Lelit pa zhurmë nga Bashkia e Vlorës, edhe i krijon Gjiknurit terren për të punuar “i qetë” duke e shfrytëzuar plotësisht institucionin për fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit.

Por propozimi i Ramës nuk është pritur mirë nga Dritan Leli.

Mësohet se kryebashkiaku e ka refuzuar propozimin e Kryeministrit Rama për të dhënë dorëheqjen.

Leli, me profesion mjek, la Tiranën për të drejtuar Bashkinë e Vlorës në vitin 2015.

PAKËNAQËSITË

Kryeministri Rama nuk i ka kursyer pakënaqësitë e tij ndaj kreut të Bashkisë së Vlorës në lidhje me performancën e punës së tij, por dhe qëndrimit nga afër me njerëzit.

“Kemi pasur një debat dhe kemi vënë pikat mbi I, për gjithçka që mund të kemi për të përmirësuar. Unë nuk jam i kënaqur me asnjë dhe me as për punën time, dhe nga Dritani në këtë rast që duhet të punojë më shumë. Unë kam respekt për të, për shumëçka, por duhet të punojë akoma më shumë”, është shprehur Rama pak muaj më parë.

I pyetur për sondazhet në Vlorë, ku thuhet se PS-ja ka pësuar rënie, kreu i qeverisë u shpreh se duhet punuar më shumë dhe puna të përmbysë sondazhet.

“Nuk është çështje individi, e Dritanit, por e një bashkie të tërë që duhet të përmirësojë të gjitha aspektet e performacës së saj dhe duhet të ndërtojë një marrëdhënie më të afërt dhe më komunikuese me qytetarët që kanë shumë halle. Populli ka një shprehje që thotë ‘nëse nuk ma zgjidh dot hallin, të paktën ma qaj’”, ka vijuar Rama, duke treguar se ka probleme me performancën e kryetarit të Bashkisë.

Rama madje zbuloi të tjera pakënaqësi për Lelin dhe Bashkinë e Vlorës dhe tha se mbështetjen e komunitetit nuk duhet ta marrë sikur e ka të fituar në çdo kohë.

“Një skuadër që synon të fitojë është e dënuar që të jetë më shumë kritike dhe të kërkojë më shumë nga vetja. Kjo vlen për mua, për të gjithë dhe për Dritanin, dhe ai duhet të bëjë më shumë. Dritani e ka mbështetjen tonë, ka potencial, pasi dhe mbështetjen e komunitetin e ka, por kjo nuk duhet marrë si një mbështetje që është aty dhe nuk duhet punuar me komunitetin”, u shpreh kreu i qeverisë pak muaj më parë.

Gazeta Panorama