Përplasjet në PD. Presidenti Meta: – E kam këshilluar Bashën që ta respektojë gjithmonë Berishën, por…Ja kur ka qenë hera e fundit që jam takuar me ish-kryeministrin

16 Nentor 2021

Presidenti Ilir Meta gjatë një interviste në RTV “Ora News” foli mbi përplasjet në PD, ku kreu i PD Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë thirrur dy Kuvende në data të ndryshme.

Kreu i shtetit tha se kjo është një ngjarje që nuk i takon të shprehet, por shtoi se është fakt që opozita ka një problem të rëndësishëm me lidershipin që nuk mban përgjegjësi.

“Më futët në parashikime dhe paragjykime, mbi ngjarje që nuk më takojnë mua. Doni që unë të shprehem për kandidatët? Duhet ta dini që ka gati një vit që nuk jam takuar me zotin Berisha dhe do të përpiqen të shmang çdo takim të paktën edhe disa javë. Pastaj shpresoj të takohem edhe me të edhe me zotin Basha, me çdo zotëri tjetër. Nuk i paragjykoj, ato janë punë që i vendosin demokratët. Por mendoj se të gjithë duhet të sillen me shumë përgjegjësi në raport me Partinë Demokratike, me misionin e saj opozitar. Dhe duhet t’i japim fund situatës ku askush nuk mban përgjegjësi. Po sikur përgjegjësia gjithmonë të transmetohet te dikush tjetër? Unë në raportin tim, kam qenë i hapur me të dy, për të njëjtat çështje, të njëjtat qëndrime, nuk kam asnjë kompleks. Këshilla që i kam dhënë gjithmonë zotit Basha ka qenë, ta respektojë gjithmonë zotin Berisha, por të vendosi vetë edhe kur zoti Berisha, ai mendon që mund ta ketë gabim. Por asnjëherë të mos bjerë viktimë e diversioneve për të injoruar kontributet e tij, apo vlerat e tij, sepse në fund të fundit dihen këto vlera. Por nuk hyj në këtë raport“, tha Meta në emisonin “Ora e Betit”.

“Nuk dua të hyj në çështjet e brendshme të PD-së, por është fakt që opozita ka një problem të rëndësishëm në legjitimitetin e lidershipit të saj. Është lidership që nuk mban përgjegjesi, gjithmonë do shpikë një fajtor. Z.Basha e ka pranuar që ka një dualizëm në lidershipin e PD. Nuk e di sa e vërtetë dhe reale është kjo, se nuk kam qenë pjesë e forumeve. Nuk mund të them çfarë ka ndodhur në Kryesi, Grupin Parlamentar, por mendoj që PD një aset shumë i rëndësishëm kombëtar, si një parti e mbrojtjes së interesit kombëtar, lirisë, ka për detyrë që ta zgjidhë në mënyrën më bashkëpunuese, me transparente këtë situate. E kam ndjekur propozimin e zotit Paloka, i cili ka bërë një thirrje për të gjetur rrugën për t’i zgjidhur problemet në PD në mënyrë demokratike”, u shpreh më herët Presidenti lidhur me zhvillimet e fundit në PD.

Gazeta Panorama