Përshkallëzohet kryengritja e Wagner, marrin Rostovin, avancojnë drejt Moskës. Prigozhin: – Së shpejti do kemi president të ri
24 Qershor 2023
Konflikti i zjarrtë midis udhëheqjes në Moskë dhe shefit të Wagner, Yevgeny Prigozhin, është përshkallëzuar në mënyrë dramatike në një kryengritje të hapur që e zhyt Rusinë në pasiguri dhe ka rikthyer hijet e luftës së përgjakshme civile të 1917.
Prigozhin pas Rostovit pretendon se gjatë orëve të para të së shtunës ka marrë nën kontroll edhe objektet kryesore ushtarake në qytetin e Voronezh, që gjendet rreth 310 milje larg Moskës, duke synuar tashmë kryeqytetin.
Prigozhin tha në një video se ai ndodhet në Rostov-on-Don, në Rusinë jugore, afër kufirit me Ukrainën, dhe se forcat e tij kanë kontrollin e objekteve ushtarake dhe aeroportit atje.
Ai u zotua të bllokojë Rostovin dhe të shkojë në Moskë nëse ministri rus i Mbrojtjes dhe gjenerali i lartë nuk takohen me të në qytet, ku është selia e Qarkut Ushtarak Jugor të Rusisë.
Rostov-on-Don është pikë strategjike sepse selia e tij ushtarake koordinon operacionet në Ukrainë, ka thënë një ish-oficer i inteligjencës së ushtrisë britanike.
Lëvizja e Prigozhin vjen pasi ai tha se luftëtarët e tij po hynin në rajonin e Rostovit të premten dhe se Garda ruse dhe policia ushtarake i janë bashkuar grupit Wagner, por CNN nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e tij.
Sakaq fotot dhe videot që qarkullojnë në mediat sociale, kryesisht në Telegram tregojnë trupat e Wagner që kanë vendosur nën kontroll të plotë Rostovin, me ushtarë të armatosur rëndë dhe tanke e blinda që kanë rrethuar godinat kryesore.
Fotot tregojnë automjete ushtarake në rrugë dhe në mëngjes herët ka pasur raportime për helikopterë që ishin ngritur mbi qytet.
Grupi Wagner më vonë tha se kishte marrë kontrollin e objekteve ushtarake ruse në qytetin e Voronezh, në Rusinë jugperëndimore, duke thënë se “ushtria po kalon në anën e njerëzve“. Më herët, guvernatori i rajonit Voronezh tha se “një kolonë me pajisje ushtarake po lëviz përgjatë autostradës federale M-4”, e cila lidh Voronezh-in dhe Rostov-on-Don.
Prigozhin në krahun tjetër pretendoi po ashtu se një helikopter qëlloi një kolonë civile dhe u rrëzua nga forcat e tij, por nuk dha detaje të mëtejshme. Ai akuzoi shefin e shtabit të ushtrisë ruse se kishte urdhëruar një sulm ajror “në mes të makinave civile”. Më vonë, ai tha se njësitë e tij u goditën nga një helikopter në një autostradë.
Prigozhin akuzon Rusinë për vrasjen e ushtarëve të tij dhe po e quan rebelimin një “marshim drejtësie” dhe jo një grusht shteti siç pretendon Kremlini, ndërsa thotë se të 25 mijë ushtarët e tij janë gati të vdesin pë popullin rus.
“Ne vazhdojmë, do të arrijmë në fund. Ne do të shkatërrojmë këdo që na pengon. Ne të gjithë jemi gati të vdesim, të 25,000. Dhe pastaj do të ketë 25,000 të tjerë. Sepse ne do të vdesim për atdheun, do të vdesim për popullin rus, i cili duhet të çlirohet nga ata që bombardojnë popullsinë civile”, kërcënoi Prigozhin në mesazhin audio në Telegram.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë mohoi pretendimet e Prigozhin, duke e quajtur atë një “provokim informativ”, ndërsa akuzon Prigozhin për “rebelim të armatosur”.
Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) u përgjigj duke u kërkuar luftëtarëve të Wagner që të arrestojnë liderin e tyre dhe të premten hapi një çështje penale kundër Prigozhin, duke akuzuar shefin e forcës mercenare për thirrje për “rebelim të armatosur”, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve TASS.
Ndërkohë, Vladimir Putin iu përgjigj ish-aleatit të tij, duke i kujtuar se kjo që po bën është tradhti dhe se po i ngul thikën pas shpine Rusisë.
“Është një përpjekje për të na përmbysur nga brenda. Kjo është tradhti”, tha Putin.
“Ne po luftojmë kundër anarkisë dhe kapitullimit. Kjo kryengritje e brendshme është një goditje vdekjeprurëse për ne”, tha Putin në fjalimin drejtuar kombit, duke shtuar se kundërmasat do të jenë shumë të vështira.
“Kjo është një fushatë kriminale aventuriere. Është e barabartë me rebelimin e armatosur. Rusia do të mbrojë veten. Janë marrë masa sigurie në Moskë dhe rajone të tjera. Situata rreth Rostovit mbetet shumë e ndërlikuar. Po bëj gjithçka për ta zmbrapsur këtë sulm. Ata që nisën kryengritjen e kanë tradhtuar Rusinë dhe unë i bëj thirrje kujtdo që është i përfshirë në të, të ndërpresë çdo lloj pjesëmarrjeje në konfliktin e armatosur”, u shpreh ai më tej.
Wagner i përgjigjet Putinit
Në një mesazh Telegram, organizata e Yevgeny Progozin i bëri të qartë presidentit rus se ai “bëri zgjedhjen e gabuar” dhe njoftoi zhvillimet në garën presidenciale të vendit.
“Putin bëri zgjedhjen e gabuar. Aq më keq për të. Së shpejti do të kemi një president të ri”, thuhet në mesazhin e “Wagner”.
Gazeta Dita