Personat me Mastera e Univrsitete hedhin librin ne Plehra. –
Personat me Mastera e Univrsitete hedhin librin ne Plehra. –
Nga Ismete Selmanaj Leba.
Sapo dola nga shtëpia sot në mëngjes dhe hodha plehrat në kazanin që ndodhet poshtë pallatit ku banoj, pashë këto dy gra që kishin mbledhur shishe qelqi, bidona plastikë, kanace alumini dhe ishin ulur në hije në bordin e një trotuari duke lexuar. Ju afrova dhe i thashë:
“Mirëmëngjesi”
Gruaja ngriti sytë nga libri dhe më tha:
“Mirmjes t’keqen nona”, edhe pse duhet të ishte më e re se unë.
“A mund ta di çfarë po lexoni”? e pyeta e mrekulluar nga ajo që po shihja. Dy gra, nënë e bijë që kishin marrë nga kazani i plehrave nja dhjetë libra dhe po i lexonin!
“Po lexoj një roman të Ismail Kadaresë, mi non! M’pëlqen shumë! Njerëzit i hedhin n’plehna, ne i marrim dhe i lexojmë. E kam mbushur shtëpinë plot! Nuk e ke idenë sa shumë libra hedhin njerëzit që ne s’i blejmë dot”, m’u përgjigj gruaja.
“A mund t’i shoh pak?” e pyeta zonjën.
“Po si jo mi non!” më tha gruaja.
I mora në dorë një e nga një dhe s’po i besoja syve teksa lexova emrat e autorëve; Ismail Kadare, Petro Marku, Fatos Kongoli, Dritëro Agolli…
“Mamit tim i pëlqen shumë të lexojë”, ndërhyri vajza që s’ishte më shumë se 14 – 15 vjec.
“A e dini sa më keni mallëngjyer me këtë veprim?”, i pyeta dhe ndjeva lotët të më dilnin nga sytë.
Mendova me trishtim që jetojmë në një vend të cuditshëm. Ato libra që me aq dashuri i mbanin në duar këto dy gra, ndoshta-ndoshta i kishte hedhur në plehra ndonjë injorante me katër- pesë mastera, por që s’kishte lexuar ndonjë libër gjatë gjithë jetës, e cila kishte ndërruar mobilimim e shtëpisë dhe nuk i shkonin ngjyrat e librave me divanin apo bufenë! Kam dëgjuar me veshët e mi histori të tilla absurde! Ne jemi ai vend ku drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, pasi digjet një sasi e konsiderueshme librash, deklaron se janë djegur libra të parëndësishëm! Ne jemi ai vend që e përmbysim me ujë Bibliotekën Kombëtare dhe themi “hë mo s’ka gjë se po i thajmë sipas standarteve!
Por ky është atdheu edhe i këtyre dy grave të thjeshta e të varfëra, por me mijëra herë më të pasura nga shpirti se sharlatanët dhe injorantët që po e drejtojnë dhe po e mbajnë peng të errësirës këtë vend!