Persqop, monumenti i ri i vizitueshëm. –

15:15 – 13.03.19

“Zgjerojmë hartën e Tiranës me monumente të reja të vizitueshme duke afruar turistë, studiues dhe brezin e ri përmes programeve të edukimit” – u shpreh Ministrja e Kulturës, Elva Margariti në ceremoninë e përurimit të Varrit Monumental të Vendbanimit Antik të Persqopit. Financuar nga Tourism Investment&Finance Fund, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës ky monument është investimi më i ri në zonën e Tiranës sa i përket turizmit kulturor, duke zgjeruar vizitueshmërinë në objektet e monumenteve të kulturës.
Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimit bëri të mundur kryerjen e ndërhyrjeve konservuese – restauruese, pastrimin e vegjetacionit, ndërtimin e sistemit të drenazhit përreth varrit si dhe vendosjen e tabelave informuese. Varri Monumental ndodhet në pjesën lindore të malit të Vilës.

Ai është pjesë e vendbanimit të njohur me emrin “Muret antike dhe varri i Persqopit”, në malin e Petrelës. Varri Monumental mendohet të lidhet me pjesën tjetër të vendbanimit të fortifikuar, që daton si i shekullit V-II p.e.s. Persqopi ishte një nga qytetet antikë që nuk pati jetë të gjatë për shumë kohë. Mendohet se popullsia lëvizi dhe u vendos në Petrelë.

13.03.19