Peshkaqenë të droguar me kokainë në brigjet e Floridas?
26 Korrik 2023
Ekspertët thonë se peshkaqenët po marrin kokainë nga droga e hedhur në Florida, sipas ”The Guardian”.
Në atë që mund të jetë skena e filmit të ardhshëm të katastrofës me temë detare, shkencëtarët mendojnë se peshkaqenë të çmendur dhe të uritur mund të ushqehen me tufa me droga halucinative të hedhura në brigjet e Floridës.
Megjithatë, ndërsa ”Cocaine Sharks” (”Peshkaqenët e kokainës”) – një moment kryesor i javës së ardhshme në Discovery Channel – me të vërtetë shqyrton nëse grabitqarët e oqeanit po gëlltisin farmaceutikë të hedhura në det nga trafikantët kalimtarë, shkencëtarët e marinës që bënë programin televiziv thonë se qëllimi i tij është përtej argëtimit.
”Është një titull tërheqës për të hedhur dritë mbi një problem të vërtetë, që gjithçka që përdorim, gjithçka që prodhojmë, gjithçka që futim në trupin tonë, përfundon në rrjedhat tona të ujërave të zeza dhe këto jetë ujore nga të cilat ne varemi për të mbijetuar, më pas ekspozohen ndaj kësaj”, tha Tracy Fanara, inxhiniere mjedisi dhe eksperte e grupit kërkimor.
”Ne kemi parë studime me farmaceutikë, kokainë, metamfetamina, ketaminë dhe të gjitha këto thonë se peshqit po ndikohen nga droga. Nëse këto mbetje kokaine janë një burim pikash ndotjeje, është shumë e besueshme që peshkaqenët mund të ndikohen nga kjo drogë. Kokaina është shumë e tretshme në ujë”, shton ajo.
Peshkaqenët e kokainës pritet të jenë ndër dokumentarët më tërheqës të Javës së Peshkaqenëve, vitrinës popullore vjetore të rrjetit ”Discovery”, nga të bardhët e mëdhenj, te kokëçekiçët dhe peshkaqenë tigër deri te ekzemplarët më të vegjël.
Në kërkimin e tyre, të kryer gjatë gjashtë ditëve në det në Florida Keys, Fanara dhe biologu detar britanik Tom Hird vëzhguan peshkaqenë që shfaqnin sjellje të veçanta.
Një kokëçekiç, një specie që zakonisht do të notonte larg njerëzve, erdhi direkt drejt zhytësve, duke lëvizur në mënyrë të çrregullt. Ata gjithashtu vëzhguan një peshkaqen rëre që notonte në rrathë ndërsa me sa duket u fokusua në një objekt imagjinar.
Fanara tha se ata zgjodhën Florida Keys si vendndodhjen më të mirë për kërkimin e tyre, sepse një konvergjencë e rrymave oqeanike e bëri rajonin të njohur për pakot lundruese të kokainës.
Muajin e kaluar, Roja Bregdetare e SHBA-së njoftoi se kishte gjetur më shumë se 186 milionë dollarë lëndë narkotike të paligjshme nga ujërat e Karaibeve dhe Floridës Jugore.
”Sa kokainë po gëlltisin peshkaqenët është e pamundur të përcaktohet, bazuar në eksperimentet që ishin vetëm pararendëse”, tha Fanara.
Në muajt e ardhshëm, Fanara planifikon të bashkëpunojë me shkencëtarë të tjerë detarë në Florida për të marrë mostra gjaku nga disa prej peshkaqenëve për të vlerësuar nivelet e kokainës.