11 Maji 2023

Pas 24 orësh nga incidenti në brigjet e detit Adriatik, një tjetër ngjarje ka ndodhur gjatë natës.

Raportohet se gjatë natës, një peshkarexhë dhe një velierë e vogël me flamur anglez janë përplasur në det të hapur.

Forcat e rojes bregdetare kanë organizuar një operacion kërkim-shpëtimi.

Fatmirësisht, as peshkatarët dhe as dy shtetasit anglezë që ndodheshin në bordin e velierës “Blue Moon” nuk kanë pësuar dëmtime. Paraprakisht deklarohet se ngjarja ka ndodhur rreth 15 milje larg bregut.

Veliera është përplasur në pjesën e bashit me një peshkarexhë që kishte dalë për gjueti në det.

Në pritje të ndihmës, peshkarexha “Perëndesha” e ka tërhequr velierën drejt portit të Durrësit ku pritet të qartësohen edhe detajet e këtij aksidenti detar në një hapësirë ujore, ku trafiku nuk është i rënduar.

Një ditë më parë, si rezultat i përplasjes nga trageti i linjës Durrës-Bari u mbyt anija e peshkimit “Elton I”, ndërsa policia kufitare shpëtoi nga mbytja ekuipazhin e saj.

Gazeta Dita