Peshqit e mëdhenj po “hanë” të vegjlit, si po ndryshon struktura e ekonomisë
Peshqit e mëdhenj po “hanë” të vegjlit, si po ndryshon struktura e ekonomisë.
2 mars 2019
Ekonomia shqiptare po e ndryshon gradualisht strukturën e saj, teksa të vegjlit po bien dhe të mëdhenjtë po fuqizohen. Normat e fitimit po bien në një tregues të shtimit të konkurrencës, maturimit të shumë sektorëve dhe ngërçit të konsumit. Ekonomia gjeneron pjesën më të madhe të të ardhurave të saj nga tregtia dhe ka pak sinjale se ajo po orientohet drejt sektorëve me vlerë të shtuar. Rënia e të vegjëlve po rrezikon një segment që ka pasur rreth 30% të të punësuarve në ekonomi. Mungojnë ndërmarrjet e mëdha, ndërsa produktiviteti i ekonomisë është i ulët
Mikrondërmarrjet kanë qenë zemra e ekonomisë shqiptare në epokën e pas viteve ‘90. Pa ndonjë strategji dhe duke shkatërruar pothuajse çdo trashëgimi nga e kaluara, hapja e bizneseve të vogla në tregti e shërbime ishte modeli ku u vetorientua ekonomia vendase. Një model që kishte pak lidhje me vlerën e shtuar, produktivitetin, prodhimin e produkteve për të cilin ne mund të kishim avantazh konkurrues etj., por që i shërbeu të paktën vetëpunësimit. Shqipëria, rezulton një ndër vendet me normën më të lartë të vetëpunësimit në botë, ku rreth 30% e të punësuarve e kanë siguruar vetë jetesën nëpërmjet mikrondërmarrjeve.
Në dekadën e fundit, struktura e ekonomisë po ndryshon. Hapja e qendrave të mëdha tregtare dhe e rrjeteve të supermarketeve po nxjerr jashtë loje bizneset e vogla. Kjo u bë më e dukshme në vitin 2017, ku të dhënat e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve të INSTAT tregojnë se ndërmarrjet mikro me 1 deri në 9 të punësuar, që përbëjnë 94% të totalit të bizneseve në vend, u reduktuan në numër, ulën shitjet, të punësuarit dhe vlerën e shtuar në krahasim me vitin e mëparshëm.
E kundërt ka qenë tendenca për Ndërmarrjet e Vogla (10-49 të punësuar), Ndërmarrjet e Mesme (50-249 të punësuar) dhe Ndërmarrjet e Mëdha (250+ të punësuar), të cilat kanë parë rritje të punonjësve, shitjeve dhe vlerës së shtuar. Në total, ekonomia në 2017-n gjeneroi shitje prej 2 trilionë lekësh, ose gati 16 miliardë euro, me një rritje prej 8.3% me bazë vjetore. Ndikimin kryesor në rritjen e shitjeve e dhanë ndërmarrjet e konsideruara të vogla, me 10-49 të punësuar, të cilat raportuan një zgjerim të shitjeve me 18%. Ndërmarrjet e mesme i zgjeruan shitjet me 17% dhe ato të mëdha me 11%. Ndërsa shitjet e mikrondërmarrjeve ranë me 13%.
Por mikrondërmarrjet, që po e vuajnë më shumë presionin e konkurrencës që po u vjen nga të mëdhatë, mbeten punëdhënësi më i madh në vend, me rreth 40% të totalit, ndërsa gjenerojnë vetëm 20% të shitjeve. Rënia e tyre rrezikon të nxjerrë jashtë tregut të punës një kategori të vetëpunësuarish në moshë të mesme, që do ta kenë të vështirë të integrohen në tregun e riformatuar të punës.
Të dhënat e INSTAT tregojnë ne numri i të vetëpunësuarve në vend në fund të 2017-s arriti në rreth 105 mijë persona, duke përbërë 21% të totalit të të punësuarve, niveli më i ulët i dekadës së fundit. Në vitin 2015, kur numri i të vetëpunëësuarve arriti në rekordin e 125 mijë personave, për shkak të presionit të aksionit të ashpër antiinformalitet, që detyroi shumë ambulantë të regjistroheshin. Por, në dy vitet në vijim, ata dolën sërish nga tregu, në një sinjal se informaliteti ka qenë avantazhi i vetëm i tyre konkurrues. Të vetëpunësuarit janë kryesisht në sektorin e tregtisë dhe shërbimeve, aktivitete që kanë parë dhe rënien më të madhe të personave që e siguronin vetë jetesën.
E ndërsa të vegjlit po bien dhe nuk po arrijnë të mbijetojnë në një treg me konkurrencë të shtuar, Shqipërisë i mungojnë sipërmarrjet e mëdha, që do të kompensonin humbjen e vendeve të punës nga mikrondërmarrjet. Vendi kishte në 2017-n, vetëm 166 ndërmarrje me më shumë se 250 punonjës. Në një zhvillim pozitiv numri u tyre u shtua me 14 në një vit.
Për krahasim, në shtetin fqinjë, Maqedoni, me një ekonomi pak më të vogël sesa tonë, ka 236 ndërmarrje me më shumë se 250 punonjës, pjesa më e madhe e të cilave janë në sektorin e industrisë përpunuese. Më i lartë është dhe numri i bizneseve me mbi 10 punonjës, ndërsa Shqipëria mban rekord për mikrondërmarrjet (shih tabelën: Numri i ndërmarrjeve, sipas madhësisë së punonjësve).
Mbizotërimi i mikrondërmarjeve është dhe një nga faktorët që ul produktivitetin në ekonomi, duke e bërë atë më pak konkurruese me tregjet rajonale e europiane. Shitjet neto për të punësuar ishin 1.5 milionë lekë në 2017-n për ndërmarrjet me 1-4 të punësuar, nga 5-7 milionë lekë për të punësuar që janë për ndërmarrjet që janë mbi 10 punonjës, sipas të dhënave të përpunuara nga shifrat e INSTAT për qarkullimin vjetor sipas madhësisë së ndërmarrjes.
Të varur nga tregtia
Rreth 47% e të ardhurave nga shitjet në ekonomi gjenerohen nga sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë, sipas të dhënave të INSTAT për 2017-n. Shqipëria është një importuese neto për pothuajse gjithçka, madje edhe për produkte bujqësore, ndonëse ky sektor gjeneron rreth 20% të prodhimit të brendshëm bruto të vendit.
Tregtia qarkulloi rreth 7.4 miliardë lekë të ardhura në 2017-n, me rritje gati 5% me bazë vjetore.
Në vend të dytë është ndërtimi, me 12% të totalit, një sektor mjaft i preferuar për shkak të kthimit të shpejtë që ai ka dhe hapësirave të shumta që ka pasur në ndërtim, në mungesë të një plani afatgjatë rregullues, sidomos në bregdet e kryeqytet. Në 2017-n, shitjet nga ky sektor gjeneruan 1.9 miliardë lekë të ardhura, me rritje gati 13% me bazë vjetore.
Të dhëna të tjera të INSTAT për vitin 2016 tregojnë se 74.3% e investimeve të brendshme në ekonomi shkuan pikërisht në sektorin e ndërtimit, më e larta nga vendet e rajonit dhe Europa. Sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor” nga institutet statistikore të rajonit, edhe në Maqedoni, ndërtimi merr rreth 63% të investimeve. Në Mal të Zi dhe Serbi, ndërtimi zë rreth gjysmën e investimeve të brendshme. Kanalizimi i fondeve të lira, kryesisht në banesa, ka bërë që vendi ynë të ketë peshën më të lartë të ndërtimit në Prodhimin e Brendshëm Bruto në Europë. Me gati 11% të PBB-së, ndërtimi qëndron gati 3 pikë përqindje më lart nga ndjekësi më i afërt, që është Maqedonia. Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja kanë qenë më të frenuar në zhvillimin e këtij sektori, që zë mesatarisht 4-6% të PBB-së. Në vendet e Bashkimit Europian, ndërtimi, i maturuar prej vitesh, zë rreth 5.3% të PBB-së.
Investimi në ndërtim mund të ndikojë në rritjen e qarkullimit të parave dhe hapjen e vendeve të reja të punës, por që në afat të gjatë nuk i jep vlerë të shtuar ekonomisë, teksa nuk ndikon në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, duke shkuar në linjë të kundërt me atë që kanë rekomanduar ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare. Në vend të tretë renditet industria përpunuese, që gjeneron po gati 12% të shitjeve në ekonomi, e ndjekur nga shërbimet (10%), transportet e komunikacioni (7.3%), energjia, gazi dhe uji (rreth 6%).
Në renditjen e 200 kompanive më të mëdha sipas qarkullimit vjetor, një publikim i përvitshëm i Monitor, mbizotërojnë kompanitë që shesin e rishesin naftë, duke rritur artificialisht xhiron, ka pa fund biznese tregtare që kanalizojnë importet pranë konsumatorit lokal, ndërsa industria përpunuese sa vjen e po zbret gjithnjë e më shumë në renditje. Për kompani të reja, as që bëhet fjalë. Ecuria dhe struktura sipas aktiviteteve e 200 më të mëdhave është një indikator i rëndësishëm në ekonomi., pasi ato qarkulluan 7.3 miliardë euro, ose rreth 63% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Gazeta Dita