1 Mars 2025

Pesticidet ndikojnë shumë negativisht mbi biodiversitetin dhe efektet e tyre rrezikojnë të paktën 800 specie mes bimëve, kafshëve e mikrobeve.

Këto pasoja shtrihen në mënyrë të drejtpërdrejtë në të gjithë ekosistemin. Studimi i fundit është publikuar në revistën “Nature Communication” dhe është i pari që vlerëson impaktin e pesticideve mbi speciet ujore dhe tokësore.

Grupet e punës së universiteteve kineze e italiane kanë analizuar të paktën 1700 punë kërkimore dhe kane analizuar përbërjet kimike te dëmshme të përdorura jo vetëm në bujqësi, por edhe në tregti e përdorim shtëpiak.

Impaktet janë negative, janë mbi rreth 800 specie të ndryshme, duke ndikuar tek procesi dhe aftësia e riprodhimit, mbi një sërë sjelljesh për mbijetesë, që tek sigurimi i ushqimit, kapja e gjahut, lëvizjet dhe sjelljet brenda grupit.

Gjithashtu pesticidet dëmtojnë metabolizmin dhe qelizat dhe këto sjellin vdekjen e parakohshme të organizmave duke ndikuar drejtpërdrejt në reduktimin e popullsive të tyre. Ky studim vë në pah edhe njëherë domosdoshmërinë në hartimin e politikave efikase për reduktimin e përdorimit të tyre.