Petrit Vasili: – Hapni sytë, shitja e fshehtë e kufijve detarë nga Rama po vazhdon

14/06/2021

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i bën apel shqiptarëve që të tregohen të vëmendshëm, pasi siç thotë ai, shitja e fshehtë e kufijve detarë nga Edi Rama po vazhdon.

“Hapni sytë, shitja e fshehtë e kufijve detarë  nga Rama po vazhdon!

Edi Rama dhe Kryeministri Micotaqis sot paskan rënë dakord të përshpejtojnë negociatat për përfundimin e një marrëveshjeje për dërgimin e dosjes për caktimin e kufijve të Zonave Detare të dy vendeve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Edi Rama po bën pazar me kufijtë detarë të Shqipërisë dhe kjo është e qartë si drita e diellit.

Për deri sa deklarohet përshpejtimi i Negociatave, do të thotë qartë, që këto negociata për një Marrëveshje për të vajtur në Hagë kanë filluar dhe ka patjetër një Grup Negociator që punon për to.

Po cili qenka ky Grup Negociator që po punon për Marrëveshjen për të shkuar në Hagë?

Kush e ka mandatuar këtë Grup Negociator për të bërë një marrëveshje për kufijtë detarë dhe për t’i ndarë ata në Hagë?

Pse mbahet e fshehtë përbërja e këtij Grupi Negociator dhe objekti i punës së tij?

Akoma në fuqi është një tjetër Grup Negociator i ngritur që në vitin 2018 për të përgatitur Marrëveshjen me Greqinë dhe që ka plotfuqinë e Presidentit, sikundër Kushtetuta e kërkon, ç’po ndodh me këtë Grup?

Cila është përmbajtja e Marrëveshjes politike të arritur në tetor, të deklaruar nga Ministri grek Dendias dhe përse nuk është bërë publike kjo Marrëveshje?

Skenari i zi i Edi Ramës për kujfijtë detare të Shqipërisë përjashton transparencën e këtyre momenteve kritike prej tij.

Është shumë e qartë që  Edi Rama po bën një pazar prej tradhtari ndaj ka shmangur edhe të gjitha institucionet kushtetuese Kuvend dhe President, prandaj nxitoi edhe me farsën e shkarkimit të Presidentit të Republikës.

Por Edi Rama duhet të heqë çdo iluzion nga koka se mund të shesë kufijtë e Shqipërisë brenda natës dhe me një grup bashibozukësh të vegjël politiko-burokratike, të cilët përgatisin shkresat e tradhtisë.

Reagimi kundër tij  për tradhtinë e shitjes së kufijve të Shqipërisë do të jetë i tmerrshëm!

Asnjë shqiptar nuk e fal kurrë Edi Ramën, sepse është fjala për kufirin detar të Shqipërisë dhe jo për kufirin detar të xhepit dhe interesit të Edi Ramës dhe të të gjithë armiqve të Shqipërisë!

Mbrojtja e Sovrantitetit dhe e  Integritetit Territorial të Shqipërisë është do të mbetet Kauza e të gjitha Kauzave dhe kush i sfidon ato do të thyejë kokën”, shprehet nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.

Koha e Jone