Petro Koçi: – Klanet dhe sektet po bëjnë namin në drejtorira, po marrin poste e tenderë
4 Shtator 2023
Zërat se pakënaqësitë në radhët e PS janë rritur, sa vijnë dhe shtohen. Prej vitesh është folur se ka ndasi mes ministrave e deputetëve, mes ministrave dhe kryebashkiakëve, apo dhe mes kryebashkiakëve dhe deputetëve.
Shumë deputetë ankohen se ministrat nuk u hapin as telefonin, jo më t’i ndihmojnë në zonat e tyre elektorale. Lidhur me këtë situatë ka pasur një mesazh të koduar nga deputeti Petro Koçi. Dje, me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai ka marrë si shembull filmin shqiptar “Rrethimi i Vogël”, ku shprehet se edhe sot në drejtori dominojnë klanet dhe sektet, të cilat marrin tendera dhe bëjnë punësime. “Po shoh filmin ‘Rrethimi i Vogel’. Është prodhuar në komunizëm. Por frymëzon ndershmërinë e zyrtarit.
Kjo vlen edhe sot për zyrtaret e demokracisë. Që të jenë të ndershëm, të drejtë, të pastër, të përulur, të thjeshtë, shërbyes të ligjit, parimorë dhe llogaridhënës. Edhe sot rrethimi i vogël i familjarëve apo miqve bën kërdinë më shumë se dje. Klanet dhe sektet janë shushunjat e pangopura me tendera, miliona, drejtorira dhe poste.
Partia e tyre është përfitimi.
Te ‘Rrethimi i Vogël’ të përshtyp e përthith loja e mrekullueshme autoriale”, shkroi ai. Deputeti socialist Petro Koçi, u shpreh se këtë postim nuk e bënë për propozimet e lajthitura për t’i ndaluar këto filma, por për diçka tjetër. “Personazhe të gdhendur me vërtetësi të pashoqe. Këtë postim nuk po e bej për propozimet e lajthitura për t’i ndaluar këto filma. As për nënpropozimet e përafërta. Por për diçka tjetër. A kemi sot në shoqëri personazhe si Zenun Boriga? Qe nuk pranojnë privilegje dhe status të pamerituar?
Apo epshi kapitalist i ka zënë të gjithë për fyti?”, nënvizoi Koçi.
Gazeta Sot