Piktorë shqiptarë dhe të huaj, në një ekspozitë në qytetin e Ulqinit. –
Piktorë shqiptarë dhe të huaj, në një ekspozitë në qytetin e Ulqinit. –
Kolonia e piktorëve figurativë ka ndaluar në qytetin piktoresk të Ulqinit. Në këtë Koloni marrin pjesë rreth 40 piktorë nga rajoni i Ballkanit: Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Shkupi, Serbia, të cilët edhe këtë vit po vizitojnë qytetin e Ulqinit dhe rrethinat, si një ndër vendet më të frekuentuara dhe ndër pikat më të rëndësishme turistike të rajonit, që zotëron një pasuri të madhe historike-kulturore me arkitekturë romake, gotike dhe orientale. Masivet malore dhe kodrinore, si dhe fusha pjellore, në juglindje dhe lindje të qytetit, do të mund të krijojnë një fushëpamje mbresëlënëse për piktorët figurativë, të cilët do të hedhin në telajo muzën e tyre të frymëzimit. Kolonia do të finalizohet sot me hapjen e një ekspozite të punëve të realizuara gjatë kohëzgjatjes së saj. “Tashmë kolonia e piktorëve është kthyer në një shkollë më vete, ku çdo artist jo vetëm shpreh talentin e tij, por rritet artistikisht e fiton eksperienca të reja”, pohojnë organizatorët. E zhvilluar jashtë territorit të Shqipërisë, kjo koloni, me veprimtarinë e vet intensive 4-ditore, rrit bashkëpunimin mes artistëve të rajonit tonë me qëllim promocionin e vlerave më të mira arkitekturore, të peizazhit të veçantë, por edhe të punës artistike të vetë artistëve pjesëmarrës. Kjo koloni realizohet për të tretin vit, që nga 2014-a, falë bashkëpunimit të frytshëm të Institutit të Librit dhe të Promocionit – Tiranë dhe Komunës së Ulqinit, përfaqësuar nga Organizata Turistike e Ulqinit. Ulqini është njëri ndër qytetet më të vjetra në bregdetin e Adriatikut. Treva e Ulqinit dëshmohet si vendbanim qe nga periudha parahistorike. Në të ndeshen gjurma të jetës dhe të vendbanimeve ilire që nga epoka e bronzit,siç janë dyshemetë e dheut,tumullat dhe sëpatat të ashtuquajtura të tipit Shkodran-Dalmatin. Në vijim të këtij sezoni dhe të tjerë artistë më parë nga Shqipëria kanë qenë pjesë e jetës artistike të qytetit të Ulqinit. Por këtë herë janë piktorët mes tyre përmendim dhe Pashk Përvathin apo dhe të tjerë autorë nga Shqipëria, që si pjesëtarë të kolonisë së piktorëve figurativë do të prezantojnë punimet e tyre sot në ekspozitë.