Piktori Adi Shehu këtë herë prezanton krijimtarinë e tij në ekspozitën personale “Ëndrra pa dimension”. Punimet e ekspozitës vijnë me gjuhën e pikturës mbështetur në ornamentet e kostumeve popullore. Në ekspozitë janë 60 punime me ngjyra, që pas prezantimit në Tiranë do të ekspozohen edhe në Bukuresht. Piktori Adi Shehu tregon se ekspozita me piktura vjen e realizuar në një formë dhe teknikë të njohur për artdashësit dhe publikun e gjerë.

   

“Ekspozita është e veçantë në llojin e saj, pasi tematika që trajtohet ndërlidh mjaft bukur dy dimensione, traditën dhe modernitetin. Këto dimensione sillen rreth një imagjinate naive dhe sureale. Të gjitha punimet e ekspozitës janë bërë si rezultat i ndërveprimit . “Traditë-Modernitet” brenda imagjinatës, këto të sjella në formën artistike të shprehjes. Ngjyrat që janë përdorur u vishen ornamentikës tradicionale duke dërguar mendjen në shtigje të largëta fantazie, të ndërthurura me teknikat e grafikës dhe pikturës”, pohon artisti Adi Shehu punimet e të cilit janë ekspozuara në sallën “Destil” në Tiranë. Artisti tregon se pikturat që këtë herë ekspozohen për publikun vijnë krejt të veçanta nga punët që janë realizuar më parë në krijimtarinë e tij. Përdorimi i ornamentikës tradicionale, duke e risjellë në forma moderne artistike transmeton gjithashtu një mesazh për mbrojtjen traditës e kulturës sonë e jo neglizhencën ndaj saj.

“Punimet paraqesin natyrën e qetë, peisazhe, figuracione mbi femrën nudo dhe imazhe konceptuale. Ato janë ndërtuar si rezultat i një hulumtimi të gjatë kërkimor antropologjik dhe artistik. Disa nga këto punime vijnë pak reale në formën e tyre dhe disa të tjera shkojnë në një botë më të thellë mendimesh. Ornamentikat zënë një vend të posaçëm si një rigjallërim i traditës popullore në artin shqiptar. Në punime të tjera janë sjellë dhe emocione të një forme sureale të shprehura me forma të ndryshme”, vijon të tregojë mes të tjerave artisti Adi Shehu. Ky projekt me ekspozitën sipas artistit synon të sigurojë vëmendjen e publikut se bashkëpunimi dhe mbështetja e sponsorëve krijon mundësinë për promovimin e artistëve dhe artit shqiptar.

“Projekti që nisi me ekspozitën time synon të promovojë një zhanër të ri “Modern-folk” dhe pak të njohur për publikun, duke krijuar hapësira për një debat publik dhe profesional mbi çështjet e kulturës bashkëkohore dhe ndikimin e saj në shoqëritë në zhvillim”, cilëson artisti Shehu