Këtë gjysmënudo të mbuluar me lule, të rinjtë e sotëm shqiptarë do ta konsideronin thjesht një foto artistike, por në kohën e diktaturës askush nuk do të guxonte ta mbante, as në shtëpi, as në mesin e ndonjë libri e aq më pak në xhep.

Në vitin 1981 Ernest Tusha, ishte vetëm 17-vjeç, moshë ku ëndrrat dhe shqetësimet e dashurisë nuk të lënë të qetë. Çfarë ngazëllmi duhet të ketë ndierë djaloshi kur në dorë i ra një kalendar bizhuterish çekosllovake, me torsin e zhveshur të një vajze tepër gazmore.

Shijimi i kësaj bukurie femërore nuk do të zgjaste shumë. Ai arrestohet nga Sigurimi i Shtetit nën akuzën për spiunazh. Në xhep i gjejnë këtë foto. Pas kësaj, dy eskpertë të sigurimit të shtetit, Artisti i Popullit, Foto Stamo (1916–1989) dhe Artisti i Merituar, Fatmir Haxhiu (1927–2001), e cilësuan si “një material të dëmshëm pornografik”. Dy piktorët më të vlerësuar të kohës së komunizmit në dokumentin e akt-ekspertizës të siguruar nga “Shqiptarja.com” shkruajnë ndër të tjera se fotoja është “kompozuar për qëllime pornografike”. Argumentet  paradoksalë të dy piktorëve i kanë kushtuar plus 2 vjet burg të riut, përveç 7 vjetëve që e akuzuan për spiunazh, agjitacion e propagandë. Frazat e ekspertizës së piktorëve janë tejet qesharake sot, por fatale për lirinë e 17-vjeçarit.

Ja çfarë kanë shkruar dy piktorët të thirrur si ekspertë nga sigurimi i shtetit:

Akt-Ekspertimi
“Nga hetuesi Dhimitraq Shkodrani, jemi caktuar me detyrën e eskpertit, unë Foto Stamo Artist i Popullit dhe Fatmir Haxhiu Artist i Merituar, për të ekspertuar një kalendar të vitit 1978 JABLONEKS, prodhim i reklamës së bizhuterisë çekosllovake, e cila i është gjetur të pandehurit Ernest Adil Tusha. Nga sa shohim këtë fotografi, e përshkon një qëndrim i plotë pornografik, i zbërthyer në të gjitha detajet si i tillë. Së pari, kompozimi në dy aspekte-Nudo i dy figurave me qëllim nxitjen dhe krijimin e të papriturës sugjestive, të epshit seksual, të krijimit përmes mishit të femrës lakuriq, të gjinjve të saj, të pozicionit eksitues dhe të gjitha detajeve në të, evidetim të kërthizës, të ngjyrës së trëndafilit të mishit e të tjera si këto. Gjë që dëshmon për një material të dëmshëm pornografik, realizuar me qëllime të vështrimit të gruas si një qenie e përdorshme nga pozita frojdiste. Nga të gjitha çka shohim dhe gjykojmë për këtë fotografi arrijmë në konkluzionin se kemi të bëjmë me një fotografi pornografike.

Tiranë më 2/VI/1981
Ekspertët:
Foto Stamo Artist i Popullit
(Firma)
Famir Haxhiu Artist i merituar
Firma”

Më poshtë është edhe vendimi i hetuesit të Sigurimit Dhimitraq Shkodrani për caktimin e artistëve që duhej t’i bënin eskpertizë fotos, dhe ekspertiza është bërë vetëm tri ditë pas këtij vendimi më 2/VI/1981.

“Vendim
Mbi caktimin e ekspertimit
Në Tiranë më 30/ V/1981
Unë hetuesi Dhimitraq Shkodrani. Pasi studiova dosjen hetimore në ngarkim të të pandehurit Ernest Tusha, i cili akuzohet se ka kryer krimin e spiunazhit, të agjitacionit, të propagadës dhe atë të pornografisë: Kontantova:
Se në datën 11/2 1980 është arrestuar Ernest Tusha për shkak se është futur fshehurazi në shtëpinë e këshilltarit të Ambasadës Jugosllave Xhemal Uçi dhe kur ka dalë prej  andej është kapur nga kujdestari i pallatit të dipllomatve dhe është shpënë në polici, gjatë kontrollit që i është bërë, i është gjetuar një kalendar i prodhimit çekosllovak të vitit 1978 me një femër lakuriq që del në dy pozicione.
Në bazë të nenit 25 të K.Pr.Penale
Vendosa
Të caktojë eskpertë për të parë fotografinë e mësipërme Artistin e Popullit piktorin Foto Stamo dhe Artistin e Merituar Fatmir Haxhiu për të përcaktuar nëse kjo fotografi është apo jo pornografike.
Hetuesi
Dhimitër Shkodrani.
(firma)”

Reagimi i Ernest Tushës për Shqiptarja.com
“Çfarë kishin shkruar Foto Stamo e Haxhiu e mësova vetëm kur mora dosjen”
Pas zbulimit të këtyre dokumenteve “Shqiptarja.com” është përpjekur të kontaktojë Ernest Tushën,. I pyetur sesi ka ndodhur historia e arrestimit të tij, Tusha që sot është 54 vjeç ka rrëfyer se “Un jam arrestuar për spiunazh dhe foton kalendar e kisha në xhep në momentin e arrestimit”. I pyetur nëse kishte dijeni për dy artisttë e njohur që i bënë ekspertizën Tusha deklaron se “Në akt-akuzë përmendeshin emri i Foto Stamos dhe atij tjetrit, kurse se çfarë kishin shkruar e mësova vetëm kur mora dosjen time të plotë. Gjyqi më denoi 7 vjet për veprimtari armiqësore dhe 2 vjet për pornografi për atë foto. Me bashkim nenesh u bënë 8 vjet”. Detajet e mëtejshme të arrestimit të Ernest Tushes do t’i mësojmë nesër në “Shqiptarja,com” në një intervistë të plotë, ku Tushe rrëfen edhe historinë e dashurisë për vajzën e një ambasadori të huaj, që në atë kohë konsiderohej si një skandal diplomatik. Kjo histori nuk përmendet nga hetuesi, por mund të ketë qenë edhe zanafilla e akuzave të rreme që sunonin burgosjen e të riut.