Piktori Qamil Grezda: Një herë e përgjithmonë u la pas amatorizmi romantik
Qamil Grazda; Autoportret
Piktori i traditës sonë kombëtare, Qamil Grezda, me origjinë nga trojet gjakovare të Kosovës, në 100 vjetorin e tij të lindjes mbetet një nga piktorët e vyer të historisë së pikturës së re shqiptare, të shfaqur në mesin e këtij shekulli. Qamil Grezda i përket brezit të tretë të piktorëve që jetuan në këtë shekull. Ky brez artistësh u edukua në shkollat perëndimore të viteve 20-40-të. Ata, në krijimtarinë e tyre, patën më të madh pasionin se egon.
Nga Suzana Varvarica Kuka
Piktura shqiptare e mesit të shekullit XX ka fatin e mirë të jetë e pasur me emra artistësh që studiuan në Perëndim dhe përsëri ka fatin e mirë që ata ishin aq cilësorë sa i dhanë asaj shtysën për të mos ndalur më.
I nderuari, piktori i traditës sonë kombëtare, Qamil Grezda, me origjinë nga trojet gjakovare të Kosovës, në 100 vjetorin e tij të lindjes mbetet një nga piktorët e vyer të historisë së pikturës së re shqiptare, të shfaqur në mesin e këtij shekullit.
Qamil Grezda i përket brezit të tretë të piktorëve që jetuan në këtë shekull. Ky brez artistësh u edukua në shkollat perëndimore të viteve 20-40-të. Ata, në krijimtarinë e tyre, patën më të madh pasionin se egon. Krijimtaria e tyre pulsoi vizionet e pikturës figurative, e cila i hapi rrugë rritjes së nivelit cilësor dhe sasior të pikturës shqiptare. I hapi rrugë transformimeve të mëdha mbi mënyrën e pikturimit, duke lënë pas një herë e përgjithmonë amatorizmin romantik dhe përshkrues.
Sot, veçimi mbi Grezdën, kapërcimi me hapa të ngadaltë nga piktura në pikturë, zbulon se pasioni i tij krijues u përkthye në figura, të cilat na sjellin dukshëm edukimin me estetikën e shkollës italiane, më parë në Romë, në Shkollën në Via Cavour, mandej në Akademinë e Arteve në Firence dhe, përsëri në Romë. Më pas, fatkeqësisht, krijimtaria e mëtejme ndiqet nga orientimet ideologjike të sistemit komunist, por nuk e shpërbën thelbin e figurës realiste dhe penelatës së tij ekspresive.
Edukimi në shkollat italiane i dha piktorit shqiptar Grezda fizionomi të qartë krijuese. Ajo ka gjurmë parësore mënyrën pasqyruese të realizmit akademik, ku sendi dhe figura njerëzore marrin trajtë përmes aktit të një kompozimi korrekt të objektit përmes ngjyrës, impresion prej dritë – hijes, individualitet prej proporcioneve dhe atmosferës emocionale. Me këtë buxhet mjetesh figurative piktori nxiti pasionin për pikturën në mëmëdhe.
Nëpërmjet “Shkollës romane”, piktura, skulptura dhe objektet e dizenjuara të viteve `30 tregojnë tronditje delikate kulturore mbi kohën dhe artistët italianë të kësaj shkolle. Ata cilësohen si një çelës për ndryshimin e një epoke. Por kjo ndodh në Itali. Ndërsa në Shqipëri, artistët e saj të edukuar në këtë shkollë nuk kishin kurrsesi mundësi që të sillnin ndryshim epokash në artet figurative në vendin e tyre, pasi kushtet e zhvillimit të pikturës shqiptare janë krejt të ndryshme dhe artet figurative, të cilët ishin në fillimet e lulëzimit të tyre. Por duke u nisur nga çka krijohej në Shqipëri mund të thuhet se, arti i viteve `40, filloi të marrë jetë dhe cilësi nga individualitetet piktorike të ardhura nga perëndimi. Se pasqyrimet e tyre kishin veti krijimi që përcaktohen nga mënyra vetjake, por të pasuruara me veti krijuese të zhvillimit të pikturës në vendet perëndimore. Kjo e bën artin e tyre një segment të rëndësishëm, një buxhet pasqyrimi të figurës njerëzore, të sendeve dhe të natyrës, i cili meriton të studiohet si pikë kryesore në historinë e pikturës shqiptare të shek. XX. Në këtë buxhet bëjnë pjesë dhe disa prej veprave të piktorit Qamil Grezda.
Ibrahim Kodra do të thoshte se Grezda duket si piktori italian Aldo Capri në vetvete. Dhe natyrisht në thelb ka një të vërtetë, pasi shkëndijat kompozicionale, vizioni dramatik i ndërtimit të klishesë piktorike janë të afërta në koncept ndërmjet dy artistëve. Por ajo çka i jep vlerë domethënëse shprehjes së Kodrës është baza e koncepteve të Grezdës mbi pikturën. E ajo mbështetet në përpjekjet që ai ka bërë për të ndjekur me vëmendje një segment të artit të zhvilluar në Itali. Ai tentoi ta mbajë gjallë impresionin e fortë të ndikimit nga vendi i edukimit. Në këtë vemendje shihet qartë zgjedhja e ngjyrave të tij dhe përdorimi i tyre nën presionin e modernitetit artistik, ku Novecento italiane, organikisht, bën pjesë në paletën e tij krijuese.
Nëse piktorët italianë të viteve `30-të i hapën rrugë një epoke të re dhe këtu është fjala për një epokë në kërkim të intimes dhe në ironi ndaj regjimit fashist, piktori ynë Grezda dhe të gjithë piktorët e tjerë të edukuar në Perëndim nuk iu shmangën akademizmit të klasicizmit të gjetur, si dhe besnikërisë të disa teknikave pasqyruese të impresionistëve francezë dhe makjaolistëve italianë. E kjo i bëri aq mirë artit shqiptar sa e emancipoi dhe modernizoi, duke e shtrirë në rrjedhën e arteve figurative cilësore europiane të rajonit ballkanik.
Gjithmonë në varësi të ecurisë së artit figurativ shqiptar, i cili deri në fund të viteve `90-të nuk ka asnjë përputhje me artet e zhvilluara në Europë, krijimtaria e Grezdës, dhe jo vetëm e tij, do t`i përkasë në thojza një periudhe “klasike” në historinë shqiptare, që udhëhiqet nga Mio si një realisto – impresionist. Në tërësi të këtij mendimi, mund të thuhet se një pjesë e mirë e krijimtarisë së Grezdës, i përket modernëve realistë të pikturës shqiptare. Ai vizatoi si një akademik skrupuloz, ku dritë – hijet marrin vlera të veçanta dhe modelojnë në intimitet nudot. Pikturoi me penelata të shkathëta natyrën dhe i dha asaj njolla të shumëllojshme ngjyre dhe intonacione lojërash me impresion kontrastesh. Veçohen disa portrete njerëzore, të cilëve iu ka falur emocione ekspresive në penel dhe fizionomi realiste në pasqyrim.
Natyrisht në komunizëm vështirësitë kanë qenë të pranishme edhe në procesin krijues, por absolutisht krijimtaria e Grezdës është konkuruese dhe bindëse brenda brezit dhe kohës së tij artistike. Grezda ka lënë një numër të madh veprash, të cilat tregojnë përpjekjet e artistit, për të pasur një subjekt dhe temë që i reziston kohës. Vetia e tij kryesore në idetë e mia është se ka pikturuar i impenjuar, për të kapur dritën natyrore, duke iu referuar thellësisë, që shkakton hija mbi ngjyrat përshkruese. Kjo na dëfton se bëri bashkë impresionin dhe ekspresionin. E në disa vepra ai ndjehet Grezda, që dallohet si individualitet artistik në grupin e artistëve të ardhur nga edukimi perëndimor.
Fakti artistik i Grezdës tregon se ai edhe brenda sistemit ka arritur të kuptojë dhe kapërcejë me sukses dogmën regresive të pasqyrimit të realizmit socialist. Dhe bindshëm mund të them se gjinitë e vogla si peizazhi, natyra e qetë dhe portreti shpëtuan krijimtarinë e shumë artistëve në atë kohë. Dhe një krijimtari e rëndësishme e Grezdës bën pjesë në këtë shpëtim. Le të mbetet ai në kujtimet e Historisë së Artit Shqiptar.
*Titulli origjinal “Qamil Grezda me shokë”