Piktori Sadik Kaceli (+foto). –
Sadik Kaceli (1914-2000) u lind në Tiranë në një familje të madhe pranë zonës së Dajtit. Nga viti 1929 ndoqi Shkollën Teknike Amerikane, ku u specializua në vizatim. Njohuritë e para nga bota e artit i mori nga librat dhe revistat e artit, të cilat i zbuloi në bibliotekën e re Herbert, biblioteka e parë publike në Shqipëri e themeluar nga Lady Carnarvon. Nga dëshira për të studiuar për art në Francë, ai i shkroi një letër piktorit francez Henri Matisse (1869-1954), i cili iu përgjigj më 12 prill 1936, duke i rekomanduar që të kontaktonte kritikun e artit André Lhote (1885-1962) dhe të studionte në Ecole Nationale Supérieure des Beaux Arts, në Paris. Në shtator 1936, i mbështetur financiarisht nga vëllezërit, Kaceli u nis për në Paris ku vazhdoi arsimimin deri në vitin 1941. U kthye në Tiranë ku u emërua mësues vizatimi në një shkollë të mesme, dhe më pas, nga viti 1946 deri kur doli në pension në vitin 1973, në shkollën e mesme artistike Jordan Misja. Sadik Kaceli ishte piktor realist, ndonëse ai asnjëherë nuk dëshironte ose nuk ishte në gjendje që ta përshtaste tërësisht stilin e tij me realizmin socialist. Për këtë arsye gjatë diktaturës u la në harresë për shumë vite. Kujtohet si për portrete, po ashtu edhe peizazhe.