Piktorja Shpresa Beqiri. –
Shpresa Beqiri lindi në Kavajë më 1950. Në vitet 1965–69 kryen studimet e mesme për pikturë në Liceun Artistik “Jordan Misja” Tiranë. Pas studimeve , për 23 vjet me radhë Beqiri ishte mësuesja e vizatimit e nxënësve të shkollës 8-vjeçare “Lidhja e Prizrenit” Shijak nga 1962 – 92. Pas viteve ‘90 Beqiri jep mësim lënden e vizatimit në shkollën 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë” Durrës dhe drejton ateljenë e edukimit artistik për fëmijë. Në skenën artistike shqiptare Shpresa Beqiri prezantohet për herë të parë në vitin 1971 në një ekspozitë kombëtare në GKA e më tej pas viteve ‘90 ajo shumë më shpesh paraqet para publikut koleksionin e saj prej 1000 tablosh në vaj e mbi 100 veprave në flamastër.
Piktorja Beqiri mund të konsiderohet si piktorja që i ka kushtuar krijimtarinë e saj temës së femrës shqiptare. Beqiri, gjatë krijimtarisë së saj mbi 30–vjeçare ka krijuar disa cikle piktorikë si: cikli i “dasmës”, cikli i “nuseve”, cikli i “vajzave me lule”, cikli “ëndrra dashurie”, cikli “nudot” etj. Në tablotë e saj ndjehet një individualitet artistik tashmë i konsoliduar nëprmjet një vizioni të qartë piktorik. Tablotë e Beqirit kanë sigurisht një pasuri koloristike të vazhdueshme, një delikatesë estetike në kompozimin e figurave dhe objekteve dhe thjeshtësi e sinqeritet shpirtëror. Konceptimi piktorik i veprave të Beqirit të sjell ndërmend mjeshtrin e madh A.BUZA e, pa dyshim, ajo i përket grupit të piktorëve shqiptarë që e adhuronin dhe e “ndoqen” në formë figurative atë.