Piktorja Xheneta Kadillari në kërkim të dritës dhe diellit (FOTO)
Piktorja Xheneta Kadillari në kërkim të dritës dhe diellit (FOTO)
Në Galerinë e Artit Shkodër këto ditë u hap ekspozita e piktores Xheneta Kadillari. Në të jënë paraqitur peizazhe, portrete, kompozime, nudo. Vjen si një mozaik i bukur shumëngjyrësh në një vijëmësi krijuese me punime të kohëve të fundit. Janë peizazhe, natyra të qeta, portrete, kompozime e nudo, të ndërfutura e lidhur harmonikisht, përfaqësim i njëmendtë, një ekspozitë e plotë.
Nga: Agim Janina
22 Tetor 2019,
Në Galerinë e Artit Shkodër këto ditë u hap ekspozita e piktores Xheneta Kadillari. Në të janë paraqitur peizazhe, portrete, kompozime, nudo. Vjen si një mozaik i bukur shumëngjyrësh në një vijëmësi krijuese me punime të kohëve të fundit. Janë peizazhe, natyra të qeta, portrete, kompozime e nudo, të ndërfutura e lidhur harmonikisht, përfaqësim i njëmendtë, një ekspozitë e plotë.
Artisti me vendlindjen dhe kulturës e saj ka një lidhje të dyfishtë jetësore dhe emocionale. Është magja, ku lindin, thurren e marin jetë ëndrrat. Është frymëmarrja shoqëruese, shtresim i përhershëm, i cili zbrazet më pas në veprat që krijon.
E tillë është Xheneta një shkodrane e lirë, e kulturuar, pak rebele në artin e saj, që frymën e vendlindjes e përcjell nëpërmjet artit që krijon. Simbioza ndërthurëse, si veçori formimi, nga se Shkodra është në zanafillë të themeleve të ngrehinës së Arteve Pamore Shqiptare, duke u shquar si një trevë me frymëzim piktorik
Emra të mëdhenj të Artit Pamor si Kol Idromeno, Ndoc Martini, Andrea Kushi, Zef Kolombi, Simon Rrota, Vladimir Jani, Danish Jukniu etj janë ata që krijuan ashtin piktorik shqiptar. Veçohet Jukniu, jo thjesht si një nga përfaqësuesit më në zë, por edhe se është mësuesi i Xhenetës, piktor e mësues i përkorë, personalitet i mirëfilltë, nga i cili ajo ka marrë shumë, duke i zhvilluar më tej prirjet e saj artistike e duke zenë vend të merituar në Pikturën Shqiptare.
Artistja e ka krijuar profilin artistik. Në shtator të vitit 2010 merr çmimin “Pelod” nga Qendra e Artit “DEA”, çmimin e dytë në konursin Ndërkombëtar “Vangjush Mio”, Medalje të Argentë” në konkursin e Aademisë Europiane të Artve në Genblaux të Belgjikës, Medaljen “Naim Frashëri”, akorduar Nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, medaljen e Bronxtë në Bienalen e piktorëve të Mesdheut në Aleksandri të Egjiptit. Ka bërë 14 ekspozita vetiake dhe shumtë të tilla me bashkautorë brenda dhe jashtë vendit. Në Galerinë Kombëtare Tiranë kanë zenë vend dy punime shumë vlerësuese, “Vjeshtë në Lëpushë” Vermosh dhe Peisazh i Bjeshkëve të Nemura”. Kjo veprimtari është shoqëruar me shumë shkrime vlerësuese në gazeta në vend e jashtë.
Piktura është ngjyrë. Forca shprehëse e saj shprehet me të, gjithë ajo mbresë dhe këndvështrim në gjetjen, mënyra se si piktorja na tregon botën në një mënyrë të veçantë, ç’ka përbën stilin vetiak. Është e brendshme dhe domethënëse e shpirtit të artistit.
Xheneta është koloriste. Të rrallë janë ata piktorë që meritojnë një titull të tillë. Tek piktorja kjo shpërfaqet së brendshmi, vjen nga ajo pasuri e madhe, që ka Shkodra si kryeqendër e hershme kulture, ku mblidhen, përthyhen e qendërzohen rrjedha të ndryshme, në shtresime të hershme, lidhur e gërshetuar me natyrën e njeriun, ku mali i le vendin bjeshkës, fusha liqenit, bora shiut, ndërthuren tipe e karaktere, nga tiparet e ashpra të burrave malsorë në hijeshinë e femrave.
Të gjitha këto janë një pasuri e madhe, me të cilat Xheneta është ndeshur në fëmijërinë e hershme, mbresa që piktorja pas përthithjes, i përpunon mirë në paletë, ku merr jetë fryma koloristike, për t’i derdhur mjeshtërisht më pas nëpër tablotë e shumta. Si një vëzhguese e mprehtë e natyrës, e zbërthimit të saj artistik ajo i ka të mbrujtura brenda vetes.
Ndonëse të forta me përkime foviste, rregjistri koloristik çuditërisht vjen i ngrohtë, harmonik dhe i zbutur. Njolla koloristike merr një peshë të veçantë në shumimin e tyre, mbartin drejtpeshimin e tablove. Nuk kërkohet thjesht materializimi, por ngulmohet në gjendjen drejt dekorativitetit dhe shprehjes së optimizmit për jetën, natyrës, njeriut.
Janë tablo të lexueshme, peneli pikon lëng në krijime në gjetje mbresëlenëse, pasqyrime në kapjen e domethënies, tipikes dhe vërtetësisë, sepse piktorja krijon atë që ndjen dhe jo thjesht atë që sheh, në mbushje jetësore.
Arti është shpirti i artistit. Xheneta na thotë, shikojeni botën, natyrën me sytë e mi, se ka dhe një tjetër ndryshe, e njëmendë, e bukur, e qendisur me ngjyra larushe, e gëzuar. Tablotë përcjellin emocione hamngjitëse në zbërthime koloristike.
Edhe vizatimi është koloristik, ndërtuar drejtpërdrejt me penel dhe i perceptuar mirë në tonalitete. Janë peisazhe të shqetësuara, plot nerv.
Kjo veçori të vendlindjes shprehet herë e dukshme dhe herë e fshehur lehtazi, edhe atëhere kur ajo pikturon peizazhe nga treva të tjera brenda e jashtë vendit. Është stofi i saj koloristik, një stof i bukur e mbresëlenës.
Si piktore e pleinerit, ajo pikturon drejtpërdrejt në natyrë, ku kërkon dritën dhe diellin me larminë e madhe koloristike, volumet e dritë hijes, tejdukshmërinë e thellësinë e horizontit në ndërtime plane të njëpasnjëshme. Por ajo që e shqetëson artisten është fryma që duhet të krijojë, ndjesinë e bukur të interpretimit me dokorativitet. Plazmimi i koloreve ka një rittëm të bukur ballafaques. Tablotë janë ndërtuar me plane të shtrirë e të ndarë duke filluar nga baza e telajos dhe penelatë pas penelate shkojnë në një ngritje për mbushjen kapjen e kapjen e plotësisë drejt pafundësisë qiellore, aty ku horizonti puqet dhe mbyll kuadrot si element i frymës së përgjithshme me raporte të dallueshme në perspektiva jetësore, të derdhura mjeshtërisht.
Në tablo bie më sy rregjistri i gjërë koloristik, ku penelatat e hedhura nuk kërkojnë qetësinë dhe ngrohtësinë e butë. Ato tingëllojnë e lodrojnë në ballafaqime, kontraste, të verdhat indiane rrinë pranë të kaftave tere di siena, blu marinë shoqëron portokallitë, violeti pritet nga e bardha kobalt apo e jeshilta bashkëbisedon me të kuqen.
Plazmimi dhe njolla koloristike vjen në ritëm të bukur. Nuk ka shtrirje tonale të gjërë, por të fortë lokale, shprehet në befasi shpërthyese pranë rrymës foviste, dmth ku ngjyrat janë të forta dhe me ritëm plot dritë. Kjo vjen nga përthyerja e mjedisit ku është rritur dhe e karakterit të saj të fortë e kërkues për t’ia arritur qëllimit, duke e çuar e mbyllur punën deri aty ku ajo kërkon. Ekspozita është dëshmi e saj.
Ajo i largohet gamës akademike, duke kërkuar jo thjesht qetësinë koloristike, por tingëllimet e tyre. Kolori është ritmik, befasues e plot të papritura interpretuese, i ngjeshur dhe i shqetësuar, sa vështirë të besosh së është krijuar nga dora e brishtë e një femre. Ky është karakter koloristik që Xhenetae mbart nga tabloja në tablo, shprehje e personalitetit të saj, formimit artistik, reflektime të pëerthyerjeve të mjedisit ku është formuar.
Duke u endur nga një tablo në tjetrën shikuesi, jo vetëm përjeton çastin kur piktorja ka venë e përhapur me penel e brushë ngjyrat në to, por mbi të gjitha na shpalos një realitet piktorik, në atë shndrrim nga fakti real, në atë artistik, një vështrim ndryshe, i gëzueshëm, ku optimizmi i përhershëm është kryefjala e kompozimeve, duke na detyruar ta shohim realitetin qoftë peizazh, portret apo kompozim, me sytë e autores, ndryshe nga sa jemi mësuar ta shohim në përditshmërinë tonë.
Artisti ka një kohë e një ritëm tjetër nga përditshmëria e jetës së zakonshme. Ngrin çastin në telajo për t’i dhënë përjetësinë. Mënyra si e bën jep vlerën e artistit. Xheneta di ta bëjë mirë profesionalisht dhe me lëng, nga se punimet nuk janë thjesht pasqyrime, interpretime pas një procesi përzgjedhje të kujdesshme vëzhgimi, thithjeje, përpunimi dhe derdhjeje në cohën e kanavacës. Ora artistike e Xhenetës është vetiake e jetësore.
Gjeografia e punimeve ka një shtrirje të gjërë, nis nga Shkodra e rrethinat për të përhapur në krahina te ndryshme të vendit e në trevat shqiptare jashtë territorit administrativ të Shtetit Shqiptar, si në Kosovë, Mal të Zi e Çamëri, për të kaluar në ngulmimet shqiptare në Itali e qytete të tjera europiane, ku ajo ka ngritur kavaletin.
Është në moshën më vitale të krijimit, të forcës mendore dhe të thellësisë së mendimit. Ka vite, që e ka krijuar profilin artistik dhe e ka lenë gjurmën e saj në art.
Besnike e pikturës figurative nuk u end në eksperimentime, rriti mjeshtërinë artistike, duke qëmtuar me kujdes jetën dhe duke e shndrruar atë në art.
Për një artist nuk ka një fund dhe një kufi, ashtu si tabloja nuk ka një penel të fundit. Artisti çlirohet nga një ver për të nisur një të re. Arti kërkon pafundësinë dhe pafundësia është qëllimi i tij. Xheneta shkon drejt tij gjithnjë e më e sigurtë, më e vendosur, sepse piktura është jeta e dashuria saj, për të është e shënjuar dhe me të emri i saj ka marrë kuptim.
Nga: Shqiptarja.com