“Piktura e humbur” e Gustav Klimt do të dalë në ankand dhe pritet të kushtojë sa “qimet e kokës”
5 Maji 2024
Një pikturë e artistit austriak, Gustav Klimt që besohej e humbur për 100 vitet e fundit do të dalë në një ankand në Vjenë. Vlera e pikturës vlerësohet deri në 50 milionë Euro, megjithëse mund të ketë edhe një çmim më të lartë.
Ka shumë pyetje që kanë mbetur pa përgjigje për pikturën e papërfunduar, të cilën Klimt e filloi në 1917, një vit para vdekjes së tij. Po ashtu, ka edhe shumë debate se kush është gruaja në pikturë dhe se çfarë ka ndodhur me veprën e artit gjatë epokës naziste.
Besohet se përshkruan një nga vajzat e Adolf ose Justus Lieser, të cilët ishin vëllezër nga një familje e pasur industrialistësh hebrenj. Historianët e artit, Thomas Natter dhe Alfred Weidinger thonë se piktura është e Margarethe Constance Lieser, vajzës së Adolf Lieser.
Por shtëpia e ankandit Kinsky në Vjenë, e cila po nxjerr në ankand veprën e artit, thotë se piktura mund të përshkruajë një nga dy vajzat e Justus Lieser dhe gruas së tij Henriette. Kjo e fundit, e cila njihej si Lilly, ishte një mbrojtëse e artit modern.
Ajo u deportua nga nazistët dhe vdiq në kampin e përqendrimit të Aushvicit gjatë Holokaustit. Vajzat e saj, Helena dhe Annie, të dyja i mbijetuan Luftës së Dytë Botërore. Shtëpia e ankandeve tha në një deklaratë se fati i saktë i pikturës pas vitit 1925 ishte i paqartë.
Piktura po shitet në emër të këtyre pronarëve dhe pasardhësve ligjorë të Adolf dhe Henriette Lieser, bazuar në Parimet e Uashingtonit, një marrëveshje ndërkombëtare për kthimin e artit të grabitur nga nazistët tek pasardhësit e njerëzve nga të cilët janë referuar veprat./tvklan.al