Piktura e një serbi për shqiptarët, shitje rekord në ankandin e Londrës (FOTO).

-Piktura e njohur me titull “Dy rojet shqiptare para portës”, që paraqet dy roje shqiptare në Egjipt, një nga kryeveprat e piktorit serb të shekullit të XIX, Paja Jovanoviç, është shitur në Londër.

Piktura është shitur në ankandin e famshëm të artit, “Sotheby’s”, duke filluar nga shifra e 150 mijë stërlinave deri në shifrën përfundimtare të afro gjysmëmilioni stërlinash, duke e bërë atë pikturën më të shtrenjtë të këtij piktori.

Paja Jovanoviç ka rreth 8 tablo me tematika shqiptare dhe njihet si “orientalisti” më i madh serb.

Jovanoviç ka udhëtuar disa herë në Shqipëri, duke qëndruar në Shkodër për t’u njohur me kostumet kombëtare shqiptare, ku thuhet se krijoi një miqësi të fortë me piktorin e shquar të Rilindjes Kombëtare, Kol Idromenon.

Ai ka qëndruar në mesin e shqiptarëve, që nga Mali i Zi e deri në Egjipt, e njihet si një ndër piktorët e rrallë që ka nxjerrë me ngjyra në pëlhurë madhështinë dhe krenarinë e shqiptarit, së bashku me rrobat karakteristike.

Ndër pikturat me tematikë shqiptare janë “Përgatitja e nuses shqiptare”, “Mësimi i shpatës”, “Vallja e shpatave”, “Vajza me çifteli”, “Dredhja e duhanit”, “Shqiptari duke pushuar”, etj..

Edhe pse nuk dihet blerësi, media serbe ka kritikuar ashpër qeverinë që nuk investon në blerjen e këtyre veprave për Muzeun e tyre Kombëtar.

Ndërkohë që në Shqipëri, asnjë nga këto piktura nuk është pronë e fondit të artit, apo ndonjë koleksionisti shqiptar.

a.s/dita