Piktura murale në Xhaminë e Et’hem Beut, përfundon restaurimi
Piktura murale në Xhaminë e Et’hem Beut, përfundon restaurimi
12 QERSHOR 2020
Piktura murale në Xhaminë e Et’hem Beut iu nënshtrua një procesi restaurimi, që zgjati disa muaj. Puna u krye nën drejtimin e restauratorit Adrian Çene dhe sipas ministres së Kulturës Elva Margariti është dhe një arsye më shumë për të vizituar këtë monument kulture. Ministrja e Kulturës ka publikuar foto nga piktura murale e xhamisë dhe shprehet se u realizua një punë, në mbi 300 metra katrorë sipërfaqe. “Pas heqjes së skelerisë ka dalë në dritë piktura e mrekullueshme murale e Xhamisë së Et’hem Beut, në Tiranë. Një punë disamujore, që kërkon përqendrim e vullnet, e realizuar në mbi 300 metra katrorë sipërfaqe nga grupi i palodhur i restauratorëve Andi Spahia, Fatmir Carkanji (ndihmësrestaurator) nën drejtimin e Adrian Çenes. Një arsye më shumë për të vizituar këtë monument të rrallë, i cili po i nënshtrohet një ndërhyrjeje tërësore, financuar nga Agjencia Turke e Bashkëpunimit dhe Koordinimit, TIKA”, shprehet ministrja Margariti. Xhamia e Haxhi Et’hem Beut, është një xhami e ndërtuar në Shqipëri nga Mulla Beu, nga Petrela, rreth fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë. Mbi derën e parë të xhamisë edhe sot e kësaj dite gjendet një rrasë, në të cilën vërtetohet që kjo xhami u ndërtua nga Mulla Beu, një njëri i pasur tiranas, i cili me qëllim bamirësie i hodhi themelet e para të kësaj xhamie më 1791. Xhamia e Haxhi Et’hem Beut është monument kulture i kategorisë së I-rë, shpallur me ligjin nr. 609, datë 24. 5.1948. Në kohën që është ndërtuar xhamia bënte pjesë në kompleksin e ndërtimeve që përbënin qendrën e Tiranës. Përballë saj ndodhej pazari, pranë saj kulla e sahatit që është pjesë e pandarë, në lindje xhamia e Sulejman Pashës 1614, në veri perëndim xhamia e Karapicëve. Xhamia e Et’hem Beut përbëhet nga salla e lutjeve, portiku që e rrethon atë nga lindja dhe veriu, si dhe minarja. Salla e lutjeve ka planimetri katrore dhe është ndërtuar me vellim unik mbuluar me kupolë. Hyrja për në sallën e lutjeve është në anën veriore.
Kupola është gjysëm sferike dhe pa dritare. Portiku i xhamisë së Et’hem Beut në aspektin funksional ka shërbyer në krijimin e një ambienti me një mihrab të dytë në të cilin mund të faleshin ata që vinin më vonë apo nuk gjenin vend në sallën e lutjeve. Portiku ka në planimetri formën e shkronjës “L”, ndërsa nga jugu mbyllet me mur. Nga anët e tjera është i hapur me tri arkada mbi kolona, të cilat, në kontakt me muret janë gjysëm kolona. Minarja ndodhet në të djathtë të sallës së lutjeve dhe lidhet me të në dy nivele, në dyshemenë e sallës dhe atë të mafilit. Pjesa e poshtme e minares është me seksion drejtkëndësh.
Gazeta Sot