Pilo Lluk Samarxhiu Ruajtesi I Thesareve te Apolonise. –

Nga: Vangjel Dimo.

Xha Pilua, kështu i thërrisnin pojanakët dhe jo vetëm ato por edhe arkeologët e të gjithë vizitorët që vinin të vizitonin qytetin antik të Apolonisë. U Lindi në fshatin Pojan në vitin 1889. Shkollën fillore e kreu në manastirin e Shën Marisë së Apolonisë. Në vitin 1919, në moshën 30 vjeçare, së bashku me disa bashkëmoshatarë të fshatit emigroi në Amerikë, në New Jork ku, qëndroi deri në vitin 1926. Në vitin 1929 filloi punën si kryepunëtor në Misionin Arkeologjik Francez, të drejtuar nga arkeologu i mirënjohur Leon Rey, që kish filluar gërmimet në Apoloni që nga viti 1924. Falë aftësive dhe përpjekjeve të parreshtura gjatë punës në ekspeditë ai arriti të njohë disa gjuhë të huaja, anglishten si dhuratë e emigracionit, frengjishten falë bashkëpunimit me arkeologët francezë, italishten dhe greqishten e përvetësuar nga shkolla në mjediset e manastirit si dhe në sajë të shfrytëzimit të literaturës fetare, duke qenë se ka shërbyer edhe si psallës gjatë ceremonive. Bashkëpunimi dhjetëvjeçar me Leon Reyn së bashku me të edhe me arkeologun e ri shqiptar të asaj kohe, Hasan Cekën ngjalli te xha Pilua interesin për historinë e qytetit antik të Apolonisë dhe dëshirën e zjarrtë për ti’a treguar vizitorëve, që sa vinin e shtoheshin.

Çdokush që vizitonte Apoloninë, vendas ose i huaj, i çdo moshe qoftë, por që kishin patur fatin të kish si guidë xha Pilon tregojnë me nostalgji për retorikën dhe pasionin me të cilin ai fliste për Apoloninë, monumentet, skulpturat, vazot e pikturuara e të tjera objekte të ekspozuara në mjediset e manastirit dhe më vonë të muzeut arkeologjik, i përshtatur në këtomjedise. Vizitorët vinin me dëshirën të shihnin monumentet e Apolonisë por edhe xha Pilon, që realisht ishte bërë “ një monument i gjallë” mes monumenteve antike. Me fillimin e Lufës së Dytë Botërore Misioni Arkeologjik Francez i ndërpreu gërmimet dhe xha Pilua mbeti për një periudhë të gjatë kohe kujdestar vullnetar i mjediseve dhe objekteve arkeologjike. Dashuria e tij për arkeologjinë e lidhur kjo edhe me patriotizmin e tij të lartë, pasqyrohet me aktin e tij në periudhën e fillimit të luftës. Me disa shokë të tij pojanak, ai largoi skulpturat nga mjediset e manastirit dhe i groposi në faqen e kodrës me qëllim që të mos binin në duar të pushtuesve italianë, sepse ai e dinte që ato do të merrnin rrugën e përtejdetit për t’u ekspozuar në muzeume të huaja. Me mbarimin e Luftës dhe çlirimin e vendit nga nazifashistët, xha Pilua i solli ato përsëri në mjediset e manastirit. Në vitet e para pas çlirimit filluan gërmimet arkeologjike në Apoloni nga arkeologët shqiptarë Hasan Ceka e Skënder Anamali e më vonë nga Frano Prendi e Selim Islami. Xha Pilua si gjithmonë qe bashkëpunëtori i parë dhe më i ngushtë i tyre. Në vitin 1957 në sallat e manastirit dhe në portikët e tij u hap muzeu i parë arkeologjik i Apolonisë dhe xha Pilua mori detyrën e re të ciceronit, detyrë që e vazhdoi deri në fund të jetës.

Për gjithë jetën ai punoi me ndërgjegje të lartë dhe përkushtim për ruajtjen dhe prezantimin e vlerave arkeologjike të Apolonisë. Kjo meritë iu vlerësua edhe nga qeveria e asaj kohe. Kuvendi popullor e dekoroi Xha Pilon me Medaljen e Punës, me motivacionin “ Për punë të mirë dhe të kujdesshme në zbatimin e detyrave dhe për përpjekje të tij në ngritjen ideologjike dhe profesionale”, Tiranë 21.7.1970. Xha Pilua u nda nga jeta më 13.12.1971 në moshën 82 vjeçare. Ne të rinjtë e asaj kohe, arkeologët si dhe ata që e kanë njohur ruajnë kujtime të paharruara, shpesh të fiksuara edhe në fotografi sepse qe kënaqësi të dilje me xha Pilon në fotografi. Me veprën e tij ai është një shembull i shkëlqyer, që rrezaton mësime për vullnet, ndërgjegje dhe patriotizëm për brezat e ardhshëm.

Huazuar na: Albanian Archaeology