Pipero

Pipero: Sipas meje, virusi ka filluar të qarkullojë në vendin tonë në dy javët e fundit të muajit shkurt.

5 Maj 2020

Mjeku Pëllumb Pipero shprehet se tashmë njerëzit nuk e kanë më panikun si dikur për pandeminë e COVID-19.

Në emisionin “Open”, ai tha se njerëzit tani janë më të informuar e kanë më shumë njohuri për pandeminë.

“Tani kam shumë më pak pyetje dhe mesazhe se sa më parë. Dikur ishte shumë e vështirë, ktheja përgjigje deri në orën 1:30 apo 2 të natës.

Tani më pyesin për pasojat, por më bëjnë edhe pyetje 1 milionë dollarëshe: psh, kur do të mbarojë. Te ne situata është nën kontroll, ndoshta më mirë se kudo tjetër në vendet e rajonit.”, tha Pipero në emisionin “Open”.

Mjeku iu përgjigj edhe pyetjes se kur ka qarkulluar koronavirusi, në janar apo shkurt.

“Është një diskutim që duhet bërë midis ekspertësh në fund të epidemisë. Diskutimi në media nuk besoj se sjell rezultat sepse secili sjell faktet, eksperiencën e tij. Sipas meje, virusi ka filluar të qarkullojë në vendin tonë në dy javët e fundit të muajit shkurt. Rasti i parë te ne ka qenë më 8 mars, e rastet ndoqën njëra-tjetrën”.

©Copyright Gazeta SHQIP