Pjetër Marku, një jetë në telajo. –
Pjetër Marku, një jetë në telajo.
Ky piktor shumëdimensional i shkollës së realizmit është një nxënës i shkëlqyer i mjeshtërve Guri Madhi, Foto Stomo, Skënder Kamberi, Vangjush Mio, Kujtim Buza dhe vazhdues i traditës së tyre. Nostalgjik i Rembrandit apo i Van Gogut, ai tashmë ka krijuar shkollën e tij artistike, të njohur për stilimin, përmbajtjen dhe fantazinë artistike.
Nga: Vlash Prendi
27 Tetor, 2019
Kushdo që ka vizituar ekspozitat e shumta të piktorit të talentuar Pjetër Marku,ka mbetur i mahnitur nga fryma kombëtare, jeta e gjallë dhe e prekshme që i japin jetë dhe gjallëri, impuls dhe vërtetësi veprave të tij. Ky piktor shumëdimensional i përket shkollës së realizmit, nxënës i shkëlqyer i piktorëve të njohur: Guri Madhi, Foto Stomo, Skënder Kamberi, Vangjush Mio, Kujtim Buza dhe vazhdues në dekada i traditës së tyre, nostalgjik i Rembrandit apo i Van Gogut, tashmë ka krijuar shkollën e tij artistike, të njohur për stilimin, përmbajtjen dhe fantazinë artistike. Djaloshi i ardhur nga Shëngjini i Fanit në Mirditë, treva që ka rritur mjaft figura të artit dhe letërsisë, ka një jetë të tërë që nuk e lëshon penelin nga dora. I rrjedhshëm, komunikues, emocional, të krijon ndjesi negative, kur të tregon vështirësitë e jetës, sakrificat që ka kapërcyer, për të ardhur deri në këtë stad ku është tani. Prindërit e tij shpesh e këshillonin të vazhdontë shkollën, të mos përkulej nga vështirësitë, të përplasej me sfidat e jetës dhe të mos frikësohej nga pengesat. Dhe Pjetri, si një nxënës i mirë, i mbajti gjithnjë parasysh porositë e prindërve, prandaj sot i kujton me nostalgji dhe mallë, sepse i treguan gjithnjë rrugën e drejtë dhe vlerën e jetës.
Pasi mbaroi shkollën e mesme ëndrra e tij u realizua. Fitoi të drejtën e studimit për të vijuar në Akademinë e Arteve, dega pikturë, pasioni për të cilën nuk i ishte shuar kurrë. Nxënës i urtë, i dashur, i apasionuar, krijues dhe i palodhur. Kurdoherë aktiv dhe ndër më të vlerësuarit në ekspozitat dhe aktivitetet që organizonte Akademia. Vlerësimet për aktivitetin e tij dhe veprën artistike gjatë viteve të paharrueshme të studimeve nuk kanë munguar, jo vetëm nga bashkëstudentët, por edhe nga profesorët e tij, figura shumë të njohura të artit pamor. Pas studimeve të larta emërohet në rrethin e Kukësit. Atje kryen detyra të rëndësishme shtetërore, por pa e lënë në harresë telajon dhe penelin. Periudha e konsiderueshme që punoi dhe jetoi në Kukës, i shërbeu artistit për të konsoliduar sfidat e jetës, për të kalitur vullnetin dhe durimin për punë dhe krijimtari. U dallua në lëmin e krijimtarisë artistike, prandaj u zgjodh kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rrethit ku nuk munguan aktivitetet artistike, promovimet, ekspozitat, jeta e gjallë artistike, bashkë me miqtë e tij të ngushtë, Izet Duraku, Petrit Palushi dhe piktorin kuksian Hamdi Kaci. Në Kukës pati punuar shumë vepra, madje nga më të realizuarat, pati hapur një numër të konsideruar ekspozitash, të cilat patën lënë mbresa vecanta tek artdashësit, por mjerisht shumë nga veprat e asaj periudhe kanë humbur dhe janë dëmtuar, pasi mundësitë për administrimin dhe ruajtjen e tyre ishin të kufizuara, Nisur nga fakti se asokohe nuk siguroje dot lehtë as një aparat fotografik, Pjetri kujton jo pa dhimbje, se për këto piktura nuk ruajti dot as edhe një fotografi. Pas ardhjes në Mirditë, punon në detyra të ndryshme, ku u dha impuls aktiviteteve artistike dhe sportive në qytet. Madje ngriti dhe pasuroi edhe muzeun historik dhe etnografik të rrethit, ndër të rrallët në qarkun e Lezhës. Në arkivin e tij artistik sot numërohen më shumë se 1800 vepra arti punuar në stile dhe frymë të ndryshme, por që lanë mbresa të veçanta dhe shije artistike tek çdo shikues. Është i konsiderueshëm numri i ekspozitave të hapura nga piktori i njohur Pjetër Marku dhe në secilën prej tyre ka patur prurje të reja në tematikë, stil dhe formë artistike, sepse natyra e tij prej piktori të talentuar, ofron shumë me shijet artistike të artëdashësve. Të shumta janë ekspozitat që piktori ka hapur jashtë dhe kudo është pëlqyer dhe ka lënë gjurmë në memorjen e njerëzve të artit. Madje një piktor peruan, që kishte parë disa piktura të tij në kryeqytet, u shpreh me shumë emocion dhe superlative për krijimtarinë e piktorit Pjetër Marku.
Kohët e fundit piktori ka nxjerrë nga shtypi një album me rreth 500 punime në gjini dhe teknika të ndryshme artistike. Në këtë vepër është përzgjedhur krijimtaria më e arrirë e autorit në një galeri prej mijera punimesh qe disponon në fondin e tij piktori tashmë i njohur Pjetër Marku. Kjo vepër mbetet unike në llojin e vet,sepse është realizuar me cilësi dhe parametra artistikë dhe teknike mjaft të larta.Albumi është konceptuar si një manual që pasqyron gjithë veprimtarinë artistike të piktorit. Punimet në album janë të ndryshme si, punime në vaj, në uji dhe grafikë.
Për realizimin e shumë punimeve, autori është mbështetur tek realiteti, prandaj shumë vepra janë emocionuese dhe transmetojnë tek shikuesi ndjeshmëri estetike. Një nga temat më të preferuara të piktorit është peizazhi,në shumë prej të cilëve, të kujton të mirënjohurin Vangjush Mio, pasi personazhet e tij dallohen për përmbajtje të thellë artistike, meditim emocionues dhe vlera komunikese. Piktori thuajsë luan me ngjyrat, është mjeshtër në shkrirjen e tyre, krijimin e nuancave dhe motivimin e kontrastit. Peizazhet e Pjetër Markut janë tejet emocionuese, reale dhe të bukura, sepse edhe subjektet që zgjedh autori janë të goditura, ku mbizotëron tema e fshatit, puna, jeta e përditëshme që i japin ciklit dhe albumit në përgjithësi një ton lirik dhe jetësor, Kjo, për faktin se piktori e ka ndjerë dhe përjetuar bukurinë e natyrës, jetën e fshatit dhe veprimtarinë e përditshme. Kuptohet se objekt i peizazhit është natyra e bukur në malet krenare të Mirditës, ku piktori ka lindur dhe është rritur, prandaj peizazhi dallohet për koloritin e larmishëm dhe dritën e dukshme që të ngjall emicione, optimizëm dhe ndjenja tepër pozitive.
Portreti zë vend të dukshëm në album. Piktori Pjetër Marku ka gdhendur në telajo mjaft portrete malësorësh nga Mirdita, që dallohen për forcën e karakterit, vullnetin dhe besimin në vetvete. Shumica e portreteve janë punuar me dashuri, me ndjenjë dhe mjeshtëri profesionale. Autori e përqëndron vëmendjen tek njeriu, karakteri dhe personaliteti i tij, duke e zbërthyer atë në art dhe duke e përjetësuar atë në telajo, duke nxjerrë në pah mendimin e thellë dhe përjetimet e pasura shpirtërore dhe artistike. Në përgjithësi portretet kanë paraqitje artistike monumentale dhe krijojnë vizion artistik real, mbështetur në tiparet më të qënësishme njerëzore të mirditorit. Gjen aty portrete të moshave dhe profesioneve të ndryshme që dallojnë për skalitjen artistike të tipave njerëzorë të ditëve tona, që përmes një kompozimi artistik me penelata të mesme, tone të ngrohta dhe vizatime me shije dhe saktësi të admirueshme pasqyrohen realisht dhe marrin vlera monumentale. Natyrisht, këto portrete si tërë krijimtaria artistike e piktorit Pjetër Marku janë shprehje e punës dhe përpjekjeve të tij që lindin si rezultat i kërkimeve dhe talentit të padiskutueshëm të piktorit, që të plazmuara me ndjenjën artistike, meditimet filozofike, mendimin demokratik, krijuan këtë galeri veprash që janë një pasuri tepër e vyer në fondin e kulturës sonë kombëtare dhe artsitike.
Në krijimtarinë e tij, piktori Pjetër Marku ka shprehur ndjenjat e tij emocionale prej një artisti të vërtetë që tërë jetën luftoi me vështirësitë, përjetoi gëzime, hidhërime, punë, sakrifica për të mposhtur vështirësitë dhe për të ecur përpara dhe kjo krijimtari e begatë, diti të thithë në mënyrë artistike përmes penelit mjeshtror, ndjenjat jetësore të masës,të popullit,që artisti e përjetësoi në telajo. Peizazhet,që përbëjnë lëndën dominuese në këtë album,dallohen për koloritin,që është elementi kryesor shprehës ekspresiv. Bien në sy vepra të tilla si “Ura e Vashës”, “Gjallica”, “Shëngjini”, “Kukësi”, “Në Zmejë”, “Lugina e Fanit” etj,ku autori me anë të interpretimit individual artistik, u jep peizazheve freski dhe pamje origjinale. Përfytytrimi i shtrirë i hapësirës,me ngjyra të ëmbla dhe të freskëta duket qartazi edhe tek veprat “Mali i thatë”, “Kodër Rrëshen”, “Pranverë në lagjen time”, “Qendra e Fanit”, “Guri i nuses” ,të ngjallin emocion sepse nënvizimi i formave përmasore,bëhet që vëllimi i tyre të vlerësohet në lëvizje.Këtë funksion artistic ka edhe përdorimi i kursyer i ngjyrave duke u dhënë tablove vlera të veçanta artistike, ndërsa tek tabloja “Dimër në Orosh”, ideja se forca e njeriut mposht natyrën, del mjaft e qarte. Të shumta janë portretet në album,të cilat autori i punon me dashuri dhe mjeshtëri artistike. Ngjyrat,format,hapësira,i përjetëson ata në faqet e kësaj vepre për ti bërë të pavdekshme. Nisur nga heroi Dedë Gjoluli, bajraktari Preng Marka Prenga, Zefi i Vogël, Gjeneral Marin Shpani, Gjokë Dodë Lleshi, Preng Markola etj, jepen me nota heroike, ku atmosfera me kalim tonesh delikate herë të ngrohta dhe herë të ftohta, i përgjigjet më së miri gjendjes së tyre shpirtërore. Koloritin e zakonshëm me tone intensive piktori e përdor edhe tek tablot “Nuse mirditore”, “Nanë Gjela”, “Vajtemorja”, “Kosovari”, “Mirditorja” etj, qe përshkohen nga meditimi ëndërrimtar që jepet përmes ngjyrave ku spikat dominimi përmes intenstitetit të ngjyrave, ndërsa tek portreti i poetit Ndoc Gjetja, autori derdh gjithë ndjenjat dhe talentin e tij, duke na dhënë një portret të bukur, me botë të brendshme shpirtërore dhe psikologjike të pasur dhe plot frymëzim.
Interes të veçantë paraqet edhe cikli “Kullat”, ku autori përmes tyre, si objekte tradicionale, kështjella të lashta të malsisë sonë, paraqet njëherësh historinë dhe traditën tonë. Kullat kanë shërbyer si fortësa në kohë lufte, kanë shërbyer për mbrotje nga armiq të ndryshëm dhe kanë luajtur rol vendimtar në raste gjakmarrjesh. Në Mirditë ata janë tipike, prandaj edhe tërheqin vëmendjen. Piktori i njohur Pjetër Marku, ka skicuar me penelin e tij disa prej tyre, duke pasqyruar kështu realitetin historik dhe duke edukuar tek shikuesi krenarinë kombëtare. E vecantë është tabloja “Kulla ime”, ku autori sjell përfytyrimin e shtëpisë ku ka banuar vite më pare në një stil vetiak e me frymë kombëtare, duke i kthyer këto objekte fortifikuese në simbole herioizmi. Mënyra realiste e të konceptuarit të kullës, drita, ngjyra, evokojnë ngjarje familjare në intimitetin e kompleksit të ndërtesave dhe oborrit të kullës mirditore. Është ky kompozim që e bën autorin të ndjehet krenar, për këtë fortesë, atje në lartësinë e maleve kur jetonte në familjen e madhe. Motive të veçanta dhe larmi dekorative ngjyrash përdor piktori edhe tek tablotë “Kullë në Mirditë”, “Kullat e Matit” apo “Kulla në Mat”, të cilat jepen më realizëm, gdhenden në kohë dhe me tipare tradicionale dhe historike.
Cikli i grafikave, skicave dhe vizatimeve mbyll albumin me shumë vlera të piktorit të njohur Pjetër Marku. Krijime të bukura, me ndjeshmëri artistike, mendim të thellë dhe nivel mjeshtëror. Madje karakteri sintetik që mbizotëron tek ky numër i madh krijimesh, dëshmon për fantazi krijuese dhe krijimtari dinamike. Në këto krijime të bukura dominon thjeshtësia, por dallohen edhe për ekspresivitetin artistik. Ndonse dominojnë portretet në këtë cikël, nuk mungojnë edhe pamje nga jeta e përditshme, që transmetojnë tek masa fragmenete të jetës së gjallë, burim i frymëzimit të autorit drejtpërdrejt nga mjedisi ku jeton. Ne këto grafika, skica dhe vizatime pasqyrohen arritjet më të mira të piktorit dhe dallohet prirja për të mënjanuar rutinën dhe shabllonizmin duke nxjerrë gjithnjë e më shumë në pah pjekurinë artistike të piktorit në këtë disiplinë.
Albumi është arritja më e rëndësishme e autorit, sepse gjithë krijimtaria e tij artistike sintetizohet në faqet e tij, tablot tërheqin vëmendjen për nivelin e lartë artistik dhe prirjet e vërteta etike dhe estetike të punimeve. Të tërheq vëmendjen vlerësimi i dy piktorëve të njohur nga Kosova, të cilët e vlerësojnë me superlativa veprën. Piktori Idriz Berisha: “…Marku tashmë ka krijuar tashmë profilin e tij të veçantë si portretist dhe piezazhist, i frymëzuar nga trajtat e pafundme natyrore të vendlindjes së tij Mirditë, nga etnosi dhe bota shpirtërore e psikoetnologjisë shqiptare, të portretit të ëmbël, por edhe të ashpër të këtyre anëve…”, ndërsa Mr. Demush Avdimataj shprehet: “Karakteristikë e këtij krijuesi është se me gjithë krijimet e tij si peizazhi, portreti dhe natyra e qetë, përmban paraqitje ambjenti, ngjyrë të fuqishme, kompozim drite, ngjarje me kreativitet funksional e shprehje individuale…”
Piktori i talentuar Pjetër Marku, zë një vend të merituar në radhën e krijuesve më të mirë të arteve të bukura, sepse me pasion dhe shpirt krijues, na ka dhuruar mjaft vepra të bukura, që padyshim do të hyjnë me dinjitet në fondin e artë të pikturës sonë.
m.v./Shqiptarja.com