Pjetër Përkeqi, artizani i vetmuar që josh ende turistët në Butrint. –
-Pjetër Perkeqi është i vetmi artizan që ka mbijetuar pas 9 viteve të ngritjes së tregut artizanal në Butrint, e quajtur ndryshe “Kasollja suedeze”. I ardhur nga zonat e Mirditës në fshatin Shëndëlli të Sarandës, Pjetri më parë është kujdesur të fituar të drejtën e autorit për të riprodhuar detaje dhe fragmente nga Mozaiku i madh i Butrintit. I riprodhon ekzaktesisht në gur në dru, por edhe nëpër aksesorë zbukurues dhe turistë të ardhur nga vende të ndryshme të botës marrin me vete edhe një shenjëz të vogël nga Shqipëria, falë mjeshtërisë së tij.
Dhjetëra detaje me zogj, bimë dhe kafshë të tjera, fragmente të fabulave që shprehin figurat e mozaikut të madh të Butrintit mbajnë vetëm vulën e Pjetrit. Nuk ka të drejtë autori njeri tjetër, por dhe nuk është e lehtë t’i bësh këto figura me kujdesin dhe përpikërinë e tij. Është si të thuash një sekret profesional, thotë Pjetri, sepse duhen ditur edhe sekretet e lidhjes së materialeve në mozaik, qëndrueshmërisë, e shuam të tjera. Edhe pse puna e tij e mundon, pJetri ndihet i lumtur që bashkia e Sarandës e ka propozuar për të marrë titullin Nderi i Qytetit. Është hera e parë që merr një vlerësim dhe vëmendje nga shteti. Duke parë punët e tij aq të bukura kupton se është një talent natyral, i lindur, ku mozaikët i përsos më tej durimi dhe pasioni i Pjetrit. Më tregon një video ku e kanë ftuar në televizionin lokal të fals për artin e aplikuar dhe aty ndihet i gëzuar që ia vlerësojnë punën e tij. Ka një sy të mprehtë artisti dhe zbulon prej mozaikut të Butrintit detaje që shumëkush nuk i vë re në tërësinë e tyre. Është i lidhur pas atyre figurave dhe nuk gabon kurrë. Tashmë është i dashuruar me gjithë fabulën e mozaikut antik. Çdo cope mozaiku e riprodhuar duket si origjinale, flet më të njëjtën gjuhë të kohës së vjetër. Kjo i josh turistët, por edhe vendasit. Pjetri ruan si kujtim një fotografi ku ish presidenti Bamir Topi atë kohë në detyre dhe bashkëshortja e tij kanë në dorë një copëze mozaiku, të cilën e kanë blerë tek Pjetri. Aty rrotull tregtonin bashkë me të edhe mirditorët e tjetër. Mjeshtrit Pjetër Perkeqi i vjen keq që Te “Kasollja” e Butrintit ata dhjetëra mirditorë dhe prodhuesit e zejesh nga vende të tjera të Shqipërisë nuk janë me të. Ka ngelur vetëm me stoicizmin dhe zellin e tij të rrallë. Pjetri rrëfen se “Kur u ngrit projekti i tregut artizanal, synimi ishte që “tregu të bëhej një nyje lidhëse e parkut të Butrintit me komunitetin përreth e më gjerë”. “Ne jetojmë afër Butrintit dhe jetesa jonë do të bëhej më e mirë duke i shërbyer turizmit dhe nga ana tjetër turizmi të na shërbente mirë edhe neve. Mirëditort janë artizanë të mirë. Nuk duhet humbur tradita e tyre….
Por , por nuk dua të fals më shumë për punën e mbylljes së treguat artizanal sepse këto janë punë që varen nga qeveritarët, unë di të komandoj vetëm punën që varet nga duart e mia, thotë me sinqeritet dhe modesti Pjetri. Gazeta Shqiptarja.Com |