Plan Menaxhimi edhe për Parkun Arkeologjik në Durrës, arkeologu: Ministria e Kulturës punon në fshehtësi, përjashton arkeologët vendas

Elva Margariti ka bërë publike prioritetet që ka Ministria e Kulturës për vitin 2020-të në arkeologji gjatë një konference në Muzeun Historik Kombëtar. Ajo shprehet se ka nisur puna për një plan menaxhimi të mirëfilltë në Parkun Arkeologjik të Durrësit. Ndërsa, arkeologu Neritan Ceka e quajti këtë një tjetër iniciativë të fshehtë që ministria e antikulturës po ndërmerr

Nga Valeria Dedaj
3 Mars 2020

“Identitete të ndërthurura Ilire” është tema e konferencës shqiptaro-franceze që bëri bashkë në Muzeun Historik Kombëtar arkeologë dhe studiues vendas edhe të huaj. Ndërsa, në këtë takim e pranishme ishte edhe vet ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila cilësoi si projektin më madhor për vitin 2020, hartimin e një plan menaxhimi për Parkun Arkeologjik të Durrësit.

“Projektet e mëdha të Ministrisë së Kulturës  kalojnë nëpër sitet më të prekura në Durrës, kemi nis punën për një projekti shumë më të madh, që nuk është vetëm në pjesët e dëmtuara në Amfiteatër, në mure e në Kala, por mbi të gjitha do të jetë një punë që do të çojë në Plani Menaxhimi të mirëfilltë, të një zone më të madhe, të Parkut  Arkeologjik . Kjo formulë do i kthejë Durrësit atë hijeshi që ka pasur. Një formulë për qytetarët edhe për studentët që duhet të mësojnë mbi kombin e tyre”, u shpreh Margariti.

Arkeologu Neritan Ceka e cilësoi këtë nismë një iniciativë të fshehtë, që bëhet duke përjashtuar specialistët vendas.

“Kjo është praktika e përditshme e MK-së. Ka një kontrast të madh me atë që ndodh në Institutin e Arkeologjisë (ASA), që ka dhjetëra studiues në terren. Ndërkohë, që MK me IMK ka pesë herë më shumë njerëz edhe asnjë nuk sheh në terren. Edhe kur bëjnë ndonjë gjë e bëjnë në sekretin me të madh, siç është rasti i Bylysit. Bashkëpunojnë me njerëz që vijnë nga Italia, ndërkohë që kanë 50 arkitektë në studiot e tyre në Instituti i Monumenteve të Kulturës. Nuk thonë asgjë në publik. Kjo po ndodh edhe në Durrës. Habitemi! Jo që nuk e dimë, por nuk kanë një bashkëpunim, ne kemi dy grupe që punojnë në Durrës, një në amfiteatër edhe një në identifikimin e monumenteve të Durrësit që janë nën tokë. Ne kemi Hartën Arkeologjike. Kemi  njerëzit. Është e njëjta qeveri, që marrin paratë nga Ministria e Financave. Njëra i bën publike, tjetra në fshehtësi me studio private”.

Ceka shton se edhe kësaj here i ka kërkuar bashkëpunim ministres, jo si individ, por me Institutin e Arkeologjisë.

“Ministres i propozova që të ulemi për të disajtën herë, jo si Neritan Ceka, por si institucion, me Institutin e Arkeologjisë. Të ulemi e të bisedojmë ato gjëra, që duhet të bëjmë në Bylys dhe Apolloni. Edhe nga ana tjetër të vënë në punë ata 100 veta që kanë. Janë pa karrierë edhe doktoraturë, s’kanë më profesorë. E kanë fut shkencën e studimit të restaurimit edhe të menaxhimit të kulturorës, jo vetëm në arkeologji, por në të gjitha drejtimet në një qorrsokak. Po flas për MK dhe IMK. Kjo disiplinë ka qenë në nivele evropiane në kohën e komunizmit, sot janë bërë rrogëtar, që vetëm marrin rrogat”, shprehet më tej Ceka.

Pas Butrintit edhe Bylysi dhe Durrësi, sipas Cekës, do t’u jepen fondacioneve private për t’i menaxhuar.

“Kanë bërë ligjin e Trashëgimisë. Fondacionet e huaja kanë ndërhyrë në ligj, edhe tani po marrin prodhimin e kësaj pune. Kanë kohë që po përgatiten të marrin Bylisin dhe Butrintin, ndoshta dhe Durrësin. Janë injorantë të arkeologjisë ata që vijnë, sa për të marrë paratë. Jo vetëm që nuk është marrë mendimi i asnjë arkeologu vendas. Por, kjo ndodh se kemi këtë ministri dhe këtë lloj mentaliteti në MK. Unë e kam thënë që është ministria e Antikulturës”.

Specialistet e trashëgimisë më në zë në vend nuk janë pajtuar as me Planin e Integruar për Menaxhimin e Butrintit që u prezantua para disa muajsh nga Ministria e Kulturës.

v.d./Shqiptarja.com