Plani i menaxhimit të Butrintit, specialistët: – Një poshtërim për të gjithë studiuesit shqiptarë, materiali mohon punën e tyre. –
Plani i menaxhimit të Butrintit, specialistët: – Një poshtërim për të gjithë studiuesit shqiptarë, materiali mohon punën e tyre. –
16/11/2019 –
Plani i menaxhimit të integruar i parkut kombëtar të Butrintit solli përplasjen e ministres së Kulturës Elva Margariti me specialistët e trashëgimisë kulturore. Ndërsa nga ministrja e Kulturës u pohua se përmes këtij plani Butrinti kthehet në një park lider, për disa nga specialistët nuk ka risi. Sipas tyre, në këtë draft janë përjashtuar specialistët shqiptarë. Ministrja Margariti vuri në dukje se nevoja për plan menaxhimi është parashtruar në të gjithë sitet e trashëgimisë. “Me planin e ri, parku i Butrintit kthehet në një park lider”, u shpreh Margariti. Sipas saj, ajo që sjell ky plan është lehtësimi i menaxhimit të sitit arkeologjik. “Administrimi indirekt është një menaxhim nga një fondacion kulturor, që ka vetë partneritet MK. Ministria është gardiane e mbrojtjes së pasurisë kulturore dhe partneri tjetër është një subjekt, që ka përgjegjësinë sociale për tu angazhuar në një aktivitet administrimi jo fitimprurës. Të gjithë duhet ta kuptojmë, që ky fondacion nuk ka për qëllim fitimin, por çdo gjë që investohet kthehet në sit. Bordi drejtohet nga vetë ministri i Kulturës dhe në çdo rast prona është e shtetit. Ajo që sjell plani i menaxhimit, është lehtësimi i menaxhimit të sitit nëpërmjet rregullave më të thjeshtuara administrative”, tha Margariti. Por për arkeologun Neritan Ceka ftesa për të diskutuar erdhi me vonese, ndërsa ky plan është mbajtur i fshehtë. “Fshehtësia që është bërë e gjithë kjo punë, ka pasur një përpjekje për ta mbajtur sa më të fshehtë këtë punë. Kjo ka qenë përshtypja, që ne kemi pasur”, tha Ceka. I pyetur për planin në fund të takimit, më reagimin e tij arkeologu Ceka tha se mënyra se si është bërë ky plan është poshtërim për studiuesit shqiptarë. “Unë kundërshtoj mënyrën se si është bërë drafti, një poshtërim për të gjithë studiuesit, restauratorët shqiptarë, që kanë kontribuuar dhe materiali mohon punën e tyre”, tha Ceka.
Plani pa risi
Për arkeologun Neritan Ceka, konceptimi i Butrintit si qytet grek dhe romak është gabim shkencor, i cili ka ardhur për shkak të politikës përjashtuese të specialistëve shqiptarë. “Ata që e kanë bërë parkun e Butrintit nuk janë pyetur fare. Nga kjo pikëpamje mënyra se si është bërë drafti është e gabuar, kjo edhe nga ana përmbajtjes një terminologji absurde, sepse Butrinti konsiderohet qytet grek, që nuk është grek”, pohon Ceka. Për arkeologun e njohur, plani i menaxhimit i propozuar është material që është i mirë për ata që do punojnë, por nuk thuhet se kush janë ata që do punojnë dhe si do punojë. “Pra një aeroplan pa motor. Motori që përcakton statusin, strukturën që do të ndërtohet për administrimin, raportet që ka ajo me shtetin, dhe raportet që janë brenda parkut, që përbëhet nga tre elementë kryesorë, përmenden nga administrim restaurimi që ka MK, nga kërkimi dhe shkollimi që ka MAS nëpërmjet IA dhe nga ambienti që ka ministria e Mjedisit dhe Turizmit, por ky trinom nuk është zbërthyer”, shprehet më tej Ceka. I pranishëm në takim, Auron Tare, i cili në vitet 1994-2005 ka qenë përfaqësues i fondacionit “Butrinti” duke drejtuar të gjitha çështjet që kishin të bënin me krijimin e parkut kombëtar të Butrintit si pasuri botërore e UNESCO-s dhe bashkautor i planit të parë të menaxhimit të parkut, qendra të tilla të rëndësishme duhet të jenë vetë shqiptarët që ti menaxhojnë. Ish drejtor i parkut kombëtar të Butrintit, Tare u shpreh se ky plan nuk përbën risi krahasuar me atë të krijuar vite më parë. “Për mua nuk ishte ndonjë risi. Nuk kishte zgjidhje të reja. Nuk është se më ka kërkuar njeri mendim, edhe pse kam qenë kobashkëpunëtor i planit të parë të menaxhimit. Nuk shikoj ndonjë nivel të lartë, është me nivel akademik dhe nuk ka çështje praktike, se si kjo qasje akademike do të përkthehet në terren, peizazhe, etj. Janë koncepte, që i kemi shtuar deri në 2000. Plani ka një handikap të madh me konceptimin e operacioneve konkrete në terren, pra si do menaxhohet”, tha Tare. Menaxhimi i Butrintit nga fondacionet për Taren është mënyra e duhur, por jo i drejtuar nga Ministria e Kulturës si në këtë rast, gjë që sipas tij është kundërshtuar edhe nga ICOMOS.
Nga Julia Vrapi
/Agjensia e Lajmeve Sot News/