26 Dhjetor 2024

Deputeti i Partise Socialiste, ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, aktualisht deputett i Partisë Socialiste Plarent Ndreca, i cili është marrë i pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera akuzohet se në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të Ministrisë, ka favorizuar Gjon Radovanin si përfitues i tenderit për rikonstruksionin e 4 komisariateve.

Sipas SPAK, Plarent Ndreca dhe zyrtarët e Ministrisë e kanë privilegjuar Radovanin në të gjitha fazat e procedures së prokurimit dhe në përfundim e kanë shpallur fitues dhe lidhur kontratë me të,ndërkohë që nuk përmbushte kriteret ligjore.

Nga hetimet rezulton se mes Radovanit dhe të pandehurit Plarent Ndreca janë shkëmbyer emaile, që përmbajnë të dhëna lidhur me ambientet e komisariateve Vlorë, Pogradec dhe Mirditë, të cilët do të rikonstruktoheshin.

Sipas SPAK, të dhënat i janë përcjellë paraprakisht shtetasit Gjon Radovani, i cili është ortak i APE shpk që u shpall fitues si bashkim operatorësh me Derbi-E shpk, në procedurën e prokurimit.

Në dosje thuhet se mes Ndrecës dhe Radovanit por edhe zyrtarëve të tjerë të Ministrisë janë zhvilluar takime dhe kanë diskutuar lidhur me gjendjen e objekteve policore.

”Nga ky komunikim provohet se i pandehuri Plarent Ndreca ka patur dijeni paraprakisht lidhur me angazhimin dhe pjesmarrjen e shtetasit Gjon Radovanit në hartimin e projekteve tip për objekte të policisë së shtetit për të cilat do të zhvillohej më pas dhe procedura e prokurimit”, thekson SPAK.

Për të pandehurin Plarent Ndreca me detyrë në atë kohë sekretar i Përgjithshëm dhe titullari i Autoritetit Kontraktor në procedurën e prokurimit, sipas SPAK, evidentohet qartësisht sjellja e tij e kundërligjshme duke dokumentuar një sërë shkelje ligjore gjatë fazave të ndryshme të procedurës së prokurimin publik.

SPAK thekson se ai në bashkëpunim me punonjësit e tjerë, si specialistët e prokurimeve, anëtarët e KVO, anëtarë e KSHA, drejtoreshën e kabinetit të ministrit dhe drejtoreshen e Shërbimeve Mbështetëse në Ministri kanë bërë të mundur që këtë tender ta fitonte BOE Derbi-E dhe APE shpk, duke krijuar avantazhe për këtë subjekt gjatë procedurës së prokurimit.

Gazeta Dita