16 Prill 2025

Zgjedhjet e 11 majit duket se kanë ndezur një tjetër front zjarri brenda Partisë Socialiste, këtë herë në zemër të Tiranës. Kandidati për deputet, Erion Braçe, ka shpërthyer publikisht ndaj ministrit të Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Blendi Gonxhe, i cili gjithashtu kandidon për deputet nën siglën e PS në Qarkun e Tiranës, duke e akuzuar se po bën fushatë jo si deputet, por si kryetar i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës, duke i zënë padrejtësisht vendin Erion Veliajt. “Mos votoni për ata që ju premtojnë bashkinë, nuk zgjidhet sot kryetari i Tiranës!”, thërret Braçe, i acaruar në një takim me qytetarët në kryeqytet.

Por mbrapa kësaj deklarate fshihet një luftë e ashpër për pushtet mes figurave të larta të PS-së, ku ambiciet personale po përplasen me etiketën “lojalitet partiak”. Ish-zv/kryeministri, sot ndjehet i tradhtuar, i hedhur në betejë të pabarabartë dhe i nxjerrë jashtë skemës së vjetër të lojës. Me tone të forta, ai nuk kursen goditjet ndaj strategjisë së re të partisë, që sipas tij po favorizon njerëz me mjete dhe interesa të dyshimta. “Unë nuk kam ministra, para, televizione e biznesmenë. Kam vetëm fytyrën time dhe punën time”, deklaron Braçe, duke u distancuar qartazi nga rivalët brenda partisë. Ndërkohë, fushata e PS-së në Tiranë duket gjithnjë e më shumë si një garë për fronin bosh të bashkisë, sesa për vendet në Kuvend. Intrigat janë ndezur, kjo edhe pas faktit se ministri Gonxhe në takime elektorale po kërkon vota edhe me premtimin se do të jetë kandidat për kryetar bashkie, duke përplasur kështu brirët” me kandidatë të tjerë socialistë si Z. Braçe që i rrezikohet mandati i deputetit duke qenë se është në listë të hapur. Megjithatë teksa shohim këtë situatë, mbetët të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Çfarë deklaroi Braçe kundër Gonxhes

Konkretisht Erion Braçe ka ndezur atmosferën elektorale në Tiranë me një deklaratë të fortë që godet drejt rivalëve brenda partisë. Gjatë një takimi me qytetarët, ai ka lëshuar akuza të drejtpërdrejta ndaj kandidatëve që, sipas tij, po kërkojnë vota në emër të bashkisë. “Nuk zgjidhet kryetari i Tiranës më 11 maj”, thekson Braçe me tone të ashpra. “Juve iu duhet një deputet me kohe te plot. Mos besoni ata që iu vijnë dhe iu thonë se më votoni mua se do të jem kandidat për kryerat i Bashkisë së Tiranës në tetor. Jo mo jo nuk votohet tani për kryetar bashkie të Tiranës, mos i besoni ata”, dëgjohet të thotë kandidati për deputet i Qarkut të Tiranës, Erion Braçe gjatë një takimi me qytetarët të kryeqytetit sa i takon zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Çfarë ka ndodhur?

Por kjo nuk është hera e parë që deputeti socialist, Erion Braçe ka shfaqur pakënaqësi ndaj liderishpit të Partisë Socialiste pasi u hoq nga Qarku i Fierit dhe u atashua në Tiranë. Në reagimin e tij të parë pasi u vendos në listën e hapur të PS në Qarkun e Tiranës për zgjedhjet e 11 Majit, zoti Braçe shfryu me tone të ashpra. Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, Braçe thotë se është gati për betejë, pavarësisht se thekson që gara është e pabarabartë. “Kjo javë ka qenë e vështirë. Më është dashur të përtyp përfundimisht inatin brutal përjashtues “o unë, o ai”, të pranoj një garë të pabarabartë kur kam veç 6 javë këtu, të shkel mbi ca parime që i kam të shenjta kur më duhet të konkurroj në një strategji jo etike me shokët e mi të vjetër e të rinj”, shprehet Braçe ndër të tjera.

Postimi i plotë i Braçes:

Gati! Edhe një herë! Do e bëj këtë betejë edhe këtë herë, do marr vota me fytyrë, kurrë pa fytyrë! Nuk kam ministri, ndërmarrje, asete, nëpunës, të mira publike për të shpërndarë i ka ndaluar ligji këto; nuk kam biznes, para, llogari bankare nga rrjedhin para zgjedhore; nuk kam biznesmenë, as përpara e as mbrapa, detyrim ndaj tyre; nuk kam televizion, gazetë, portal, podcast. Poooo, kam punë të bëra dhe dua punë për të bërë! Kam mendje për vizionin e duhur, zemër për t’i përfshirë të gjithë e ndjerë njësoj, gjuhë për të komunikuar me çdokënd, këmbë për të ecur e shkuar kudo, dorë-duar për t’i shtrënguar me secilin. Poooo, kam partinë më të madhe në vend, Partinë Socialiste, partinë time – me të u bashkova fare i ri, u rrita aty, nuk e përdora kurrë për vete, nuk e dëmtova kurrë, nuk e tradhtova kurrë; kurrë nuk mora. Jam socialist në thelb dhe nuk kam turp ta them hapur, me zë të lartë, kudo. Nuk e kam instrument karriere, lavdie personale, por mundësi për të arritur qëllime të mira e të përbashkëta në shërbim të njerëzve – kështu ka qenë çdo ditë për mua.

Do e bëj këtë betejë në #Tiranë, më në fund edhe për Tiranën e madhe – kam 6 javë që bëj dhjetëra kilometra këtu. Kjo javë ka qenë e vështirë. Më është dashur të përtyp përfundimisht inatin brutal përjashtues “o unë, o ai”, të pranoj një garë të pabarabartë kur kam veç 6 javë këtu, të shkel mbi ca parime që i kam të shenjta kur më duhet të konkurroj në një strategji jo etike me shokët e mi të vjetër e të rinj. Në kaq vite kam mësuar se ka gjëra më të mëdha se kaq; njerëzit, jeta e tyre në këtë vend – mirëqenia, barazia e mundësive, puna, shëndeti, solidariteti, ky vend dhe e ardhmja e tij vlejnë më shumë! Ndaj po vendos ta bëj këtë betejë në Tiranë; Nga Rrogozhina komshie për 12 vite me radhë – bujqësore e blegtorale, Kavaja po e tillë, fshatrat me radhë – fokusi i një pune për ta e me ta të papërfunduar në Kuvend, Tiranën bujqësore si e dyta e Shqipërisë po të tillë – bujqësore; në Kombinatin ku u linda e kam njerëzit e mi të gjakut e jetës së përbashkët, kudo në Tiranë ku kam marrë gjithë jetës shumë mbështetje e fuqi, për t’u ndalur te 5-sa, njësia simbol e këtij qyteti! Është një thirrje, më pas vijën zgjedhjet” – më shkroi një mike e mirë ditën më pas, të enjten. Nuk bëhet vetëm! ndaj kam unë një lutje, së pari për çdo socialist: e di që je këtu, te pallati me shigjeta, Irfan Tomini, Vilat, Selitë Lart, Vasil Shanto, Komuna, 1 Maji, Tirana e Re, Dëshmorët e Lirisë, Rruga e Kosovarëve, Petro Nini, Juridiku, Libri Universitar, Garda, ish-Blloku.

Je i mërzitur, i lënë pas dore, i harruar, marrë i mirëqenë, i pa shërbyer, por edhe me gojën plot për çfarë kemi bërë mirë me urbanizimin, rrugët, trotuaret, sheshet, ndriçimin, ujin, energjinë – çmimin e saj, shkollat, kopshtet, rrogat, abonentët – ilaçet – shpërblimet për të moshuarit, njohur thuajse kudo në europë vitet e punës këtu e emigrimit për pensionin, drejtësinë, që për herë të parë në këtë vend – me të mirat, ngadalësinë, të metat e saj – ekziston, më në fund, rrugën shtruar dukshëm për t’u bërë anëtarë të be-së; kemi ambicien dhe detyrën të bëjmë më shumë, shumë më tepër, ndaj dil nga shtëpia dhe eja, merr me vete këdo, në çdo ë nga çdo cep i Tiranës së madhe, jemi në shtëpinë tonë, në shtëpinë tende, në shtëpinë e socialistëve, aty ku ka vend për të gjithë – burra e gra, djem e vajza, ka vend për të vegjlit e të mesmit, të harruarit e të pamundurit, të punësuarit e të papunët, të shërbyerit e ata që nuk e morën dot në vite shërbimin e duhur, të gjithë që duan një mundësi të barabartë apo solidaritetin jetik – besimtarët e ateistët – të gjithëëëëëëëë! Unë jam në këtë betejë si gjithnjë – të bëj punën për ju! Ju jeni punëdhënësi dhe unë e dua këtë punë; nuk do e lë në mes për asnjë arsye karriere, nuk do iki asgjëkund tjetër e as për t’u bërë më shumë se kaq, dua të jem deputeti juaj, deputeti i Tiranës.

Nga: Gazeta Sot