6 Shkurt 2024

Kuvendi i Shqipërisë vendosi në vitin 2014 hapjen e 24 zyrave të deputetëve në çdo qendër qarku.

Një zyrë do të ishte në dispozicion të mazhorancës dhe një tjetër në dispozicion të opozitës, por pas 10 vjetësh këto zyra, jo vetëm që nuk janë hapur në mbarë vendin, por, edhe ato që figurojë zyrtarisht të hapura, nuk janë në shërbim të qytetarëve. Pavarësisht se nuk kryejnë thuajse asnjë funksion, ato vijojnë të marrin miliona lekë çdo vit.  Mesatarisht buxheti i shtetit paguan rreth 21 milionë lekë ose 200 mijë euro në vit vetëm për pagat e punonjësve të zyrave të deputetëve, që nuk ekzistojnë. (Paga mesatare 85.000 x 12 muaj =1.020.000 lekë x 21 të punësuar=21.420.000 lekë ose 200 mijë euro) Në përgjigje të një kërkese për informacion, Kuvendi tha se opozita nuk ka zyrë të takimit të deputetëve me zgjedhësit në qarkun e Elbasanit dhe në atë të Beratit.

Faktet

Në Lezhë është e mbyllur zyra për mazhorancën, ndërsa në Tiranë, qarku me numrin më të madh të zgjedhësve (rreth 500 mijë të tillë), nuk ka të hapur asnjë zyrë deputetësh. “Nuk janë hapur, për arsye se nuk janë ofruar zyra nga organet e pushtetit vendor”, sqaron Kuvendi i Shqipërisë, teksa shton se “periodikisht”, Parlamenti iu dërgon shkresa prefekturave, duke iu kërkuar që t`i mundësojnë këto hapësira.

Madje, ky institucion nuk di as adresat e sakta të zyrave që janë funksionale. Përgjigjja se “janë të atashuara pranë bashkive në qendrat e qarqeve” u kundërshtua nga disa prej specialistëve që paguhen nga Kuvendi për të punuar aty. “Jemi pranë prefekturës”, thanë një pjesë prej tyre, por nuk ishin të hapur, që të jepnin përmes telefonit një vendndodhje konkrete. “Është në një pozicion që nuk e gjen dot lehtë.

Është pak e ngatërruar e s’ta shpjegoj dot”, u shpreh punonjësi i opozitës për qarkun e Dibrës. “Ne nuk kemi zyrë fare. Nuk na japin. Na thonë: “Prisni”. Maxhorancës ia japin, po neve, jo. Unë punoj nga zyra e partisë”,  tha specialistja e opozitës për qarkun e Elbasanit. Edhe punonjësja e qarkut të Vlorës për pakicën parlamentare tha se punonte vetëm me një prej deputetëve të opozitës dhe jo me të gjithë.

Nga vëzhgimi i bashkive, që janë qendër qarku, gjendet hapur vetëm zyrat e qarkut Kukës dhe Korçë. Ato ishin të dukshme, me tabela orientuese. Në qarkun verior ishin në punë të dy specialistët, edhe ai i shumicës, edhe ai i pakicës, ndërsa në Juglindje zyra e opozitarëve ishte e kyçur. Në qarqet e tjera nuk ishte e mundur të gjeje zyrën e deputetit. Me vështirësi lokalizohet zyra e deputetit në Shkodër, që ishte në një ambient të amortizuar dhe të padallueshëm nga zgjedhësit.

Terr informativ

Në çdo rast, Parlamenti nuk ka publikuar, jo vetëm adresat, por as emrat dhe kontaktet telefonike, zyrtare të specialistëve në fjalë. As dy grupet më të mëdha parlamentare, ai i Partisë Socialiste dhe ai i Partisë Demokratike, nuk vunë në dispozicion një listë me adresat e sakta, ku zgjedhësit mund të gjejnë deputetët e tyre. Për Afrim Krasniqin, që monitoron prej vitesh Kuvendin si drejtues i Institutit të Studimeve Politike, edhe pse projekti i zyrës së deputetëve u iniciua kryesisht nga OSBE-ja dhe pati pritshmëri të mëdha, “realisht nuk funksionon”.

Arsyeja e parë, sipas studiuesit, lidhet me sistemin zgjedhor, që nuk e lidh deputetin drejtpërdrejt me një zonë zgjedhore. “Rreth 20% e deputetëve, kryesisht figurat qendrore të politikës, zhvendosen nga zona në zonë nga një legjislaturë në tjetrën, në varësi se ku janë nevojat politike të partisë”, argumenton Krasniqi. Kreu i Institutit të Studimeve Politike nënvizon se koncepti që këto zyra të kthehen në pika informimi për qytetarët, të grumbullohen ankimet e tyre apo të zhvillohen konsultime me zgjedhësit, gjithashtu nuk është përmbushur.

“Deputetët tradicionalisht i kanë përdorur zyrat e tyre të partive politike për t`i kryer këto funksione. Po ashtu, zyrat janë në qendër qarku. Deputetit të Tropojës për shembull i duhet të udhëtojë gjysmë dite për të vajtur në Kukës, ku është qendra e qarkut dhe zyra e deputetit”, tha Krasniqi për INA Media-n.

Nuk ka kalendar pritjesh për qytetarët

Nga kontaktet telefonike të 21 personave që Kuvendi paguan për zyrat e deputeteve në qarqe, vetëm 16 prej tyre ishin të aksesueshëm përmes telefonit. Ata u kontaktuan në mes të muajit tetor të vitit 2023 për t’i pyetur paraprakisht, nëse kishin orare të përcaktuara për Javën e Gjelbër (23-29 tetor), ku zgjedhësit mund t`i gjenin aty deputetët. Vetëm specialisti i opozitës në Dibër dhe ai i mazhorancës në Durrës thanë me siguri një orar dhe një vend të saktë se ku qytetari mund ta takonte deputetin gjatë javës së dedikuar për zgjedhësit.

Të tjerët mohuan të kishin një kalendar apo një regjistër të mbajtur mbi numrin e qytetarëve që kishin pritur dhe problematikat që ata kishin paraqitur. “Nuk kemi një kalendar, unë flas vetëm me shefen, ministren Kumbaro, që është drejtuese politike qarku, nuk mbaj kontakte me deputetë të tjerë. Ju mund të ma thoni mua shqetësimin dhe unë ia kaloj shefes.

Mund të më gjeni në zyrë rreth orës 11”,  u përgjigj përmes telefonit Kushulle Kore (e maxhorancës), në Gjirokastër. Edhe Anita Doçi e opozitës, në Tiranë, pohoi se nuk bëheshin takime me program paraprak. “Deputetët e Tiranës i takojnë vetë zgjedhësit, jo të organizuar nga zyra ime. Ju e kuptoni që ndikon edhe situata në parti. Deputetët nuk kanë shprehur dëshirë për të organizuar takime me komunitetin”, – tha ajo, duke saktësuar se nuk kishte një zyrë, por mund ta gjenim pranë Kuvendit. Në qarkun e Fierit e punësuara për mazhorancën, Erinda Tahiri, tha se deputetët e zonës nuk kishin takime të programuara për këtë Javë të Gjelbër. “Nuk kemi pasur asnjëherë një kalendar paraprak, që të njoftohet dhe njerëzit ta dinë, që të vijnë”, shpjegoi ajo. Specialisti i opozitës për këtë qark, Burhan Misraj, shprehu shqetësimin se nuk kishte një zyrë, por se “do të përpiqej që të organizonte një takim me ndonjë deputet”. Mungesën e zyrës për opozitën e ngriti edhe Xhoana Mezini nga Durrësi. “Nuk kemi takime të planifikuara. Nuk na kanë hapur një zyrë dhe mund të na gjeni në selinë e PD”, – tha ajo.

Pa kalendar punon edhe zyra e shumicës parlamentare në Elbasan. Sipas Esmeralda Mallosit, PS zhvillon takime edhe gjatë javëve të tjera, ndaj për këtë Javë të Gjelbër nuk kishin ndonjë plan.

NGA ELMAS BOGDANI