Plasari zbërthen qëndrimin e Ramës për Teatrin
Plasari zbërthen qëndrimin e Ramës për Teatrin
24 korrik 2019
Studiuesi i njohur, Aurel Plasari, ndërsa ka zbërthyer qëndrimin e kryeministrit Rama për Teatrin, thotë se ai, me deklarimin e tij, “fucked sot edhe një herë publikisht parimin bazë simbas të cilit funksionon demokracia”.
Në një shënim në facebook, Plasari, ndërsa e quan Ramën “Kryeshërbëtor të pretenduar të qytetarëve shqiptarë” shkruan se sot ai “shfryu publikisht kundër ‘minorancës’, siç e quajti, d.mth. kundër ‘pakicës’”.
Postimi i plotë:
E THA : MOS BËNI SIKUR NUK E DËGJUAT
Sot Kryeshërbëtorit të pretenduar të qytetarëve shqiptarë, në nervozizëm e sipër, i ra edhe një copëz nga maska e bërë paçavër: shfryu publikisht kundër “minorancës”, siç e quajti, d.mth. kundër “pakicës”, cilado qoftë ajo. Dhe pikërisht sot, kur ka shkuar kandari në bisht.
Asgjë e re nuk është të kujtosh në teorinë e demokracisë atë që e kanë thënë dhe stërthënë dhjetëra teoricienë të saj: që demokracia NUK është sundim i shumicës së pacilësuar, si rrjedhim – ka pas shtuar Sartori – edhe të pakufizuar.
Emërmadhi Lord Acton e shtroi çështjen edhe më troç: prova më e sigurt për të gjykuar nëse një vend është apo jo i lirë, simbas tij, është shkalla e të drejtave dhe sigurive që gëzojnë pakicat. Nëse nuk besoni mua, pyesni zv.zonjën Lejla Moisiu që anglishten politike e njeh më mirë nga unë dhe Lordin Acton lypset t’ia kenë mësuar në shkollë.
Ngjashëm e ka shtruar çështjen, për shembull, edhe Ferrero: “Në sistemet demokratike opozita është NJË ORGAN I SOVRANITETIT POPULLOR po aq jetik sa dhe qeveria. Të shtypësh pakicën opozitare do të thotë të shtypësh sovranitetin e popullit”. Nëse as për këtë nuk më zini besë, pyesni policin internacional me diplomë drejtësie Luigi Soreca, i cili ka qëlluar – aksidentalisht – edhe bashkatdhetar i z. Guglielmo Ferrero.
Shkurt: me një deklarim të tillë Kryeshërbëtori i pretenduar i qytetarëve shqiptarë fucked sot edhe një herë publikisht parimin bazë simbas të cilit funksionon demokracia: parimin e sundimit TË KUFIZUAR të cilësdo shumicë, parim aspak i ri, sepse karakteristikë bazike e demokracisë është dhënia e së drejtës së shprehjes politike pakicave dhe e mbajtjes parasysh të fjalës së tyre.
Ndërkaq, si në një film ”muto”, heshtën edhe do “internacionalë”, të cilëve jo më kot Kryeshërbëtori ua tha konceptin e pakicës në gjuhët e tyre: minoranza, minority. Nuk e hapën gojën që të thonë, e pakta, atë që vetë kam 10 vite që e përsëris në publik: që individi, i cili i është ofruar shoqërisë shqiptare për Kryeshërbëtor, jo vetëm nuk e njeh demokracinë, po as nuk e do atë.