4 Shkurt 2024

Me temperatura të ngjashme me pranverën, banorët e qytetit sicilian të Palermos shijuan një ditë me diell dhe detin.

Disa e shfrytëzuan atë për të konsumuar diçka buzë detit, ndërsa të tjerë duke praktikuar sporte ujore.

“Ndihet mirë, është pak shqetësuese, sepse vitin e kaluar në fakt ishte mot i mirë deri në dhjetor, por më pas ra shi deri në maj. Këtë vit nuk ra shi, gjë që është paksa shqetësuese, sepse padyshim që po ndihet ndryshimi i klimës.”

“Në këtë periudhë të vitit ishim mësuar të shihnim edhe borë në male. Natyrisht na mungon. Për aq kohë sa është e mundur, ne gëzojmë anën e mirë, duke shpresuar se diçka do të ndryshojë në vitet e ardhshme.”

Këshilltari rajonal i ishullit siçilian, Luca Sammartino, pohoi se do të kërkojë shpalljen e një gjendje fatkeqësie natyrore për shkak të thatësirës, ​​pas pesë muajsh reshjesh nën mesataren, siç citohet nga ANSA.

Pas valës së ftohtë arktike të ditëve të fundit, një anticiklon afrikan ka mbërritur në Itali i cili do të sjellë nxehtësi anormale nga Veriu në Jug me temperatura që do të rriten deri në 10°C mbi mesataren dhe kushte të qëndrueshme moti.

Kulmi i kësaj vale të nxehtit pritet gjatë javës tjetër ku temperaturat maksimale mund të kalojnë 20°C, veçanërisht në Sardenjë dhe Siçili.