Po i afrohet valës së tretë të infektimeve. Gjermania do festojë Pashkët nën masa kufizuese! Ja deri kur do të zgjatet ‘Lockdown-i’
23 mars 2021
Për shkak të rritjes së numrit të infektimeve, Gjermania rikthen masat kufizuese dhe nuk lejon lirimin e tyre as në kohën e pashkëve. Në një kohë që shumë kishin shpresuar për pushime të shkurtra.
Lockdowni që po zgjat që nga nëntori në Gjermani, do të zgjatet deri në 18 prill, po ashtu po tërhiqen edhe ato pak lirime që u lejuan këto dy javët e fundit. Ky ishte vendimi i kancelares Merkel me kryeministrat e 16 landeve gjermane pas takimit të së hënës (22.03) në Berlin. Kjo kohë kufizimesh është e veçantë, pasi përfshin edhe ditët e pashkëve, një nga festat më të rëndësishme fetare në Gjermani pas krishtlindjeve. Krahas rëndësisë fetare që kjo festë ka për katolikët, këto ditë janë edhe ditë udhëtimesh për familjet apo vizitash familjare. Por kjo gati nuk ka për të qenë e mundur.
Takimi i kryeministrave me kancelaren Merkel ishte i vështirë të hënën, madje u fol një kohë edhe për dështim të bisedimeve, sepse ishte e vështirë të arrihej ujdia. Disa lande federale kishin hyrë madje në bisedime me propozime për lirime masash. Pas 13 orë bisedimesh, Merkel ia doli me strategjinë e saj për shtrëngim masash, madje duke i marrë këtyre landeve edhe premtimin për forcimin e masave kundër Coronës.
Super-lockdown në vend të pushimeve
Para takimit pati një debat të madh në Gjermani, se çfarë masash do jenë të lejuara ditët e pashkëve. Sidomos tre landet veriore bregdetare gjermane ishin shprehur për mundësinë e “pushimeve me pak kontakte”, si marrja me qira e shtëpive apo apartamenteve të pushimit. Kështu do duhej të lejoheshin pushimet të paktën brenda landit. Ende në Gjermani nuk lejohet të kalosh natën
për turizëm në një hotel. Në një kohë që udhëtimet ne Majorka, ishullin e preferuar të gjermanëve aktualisht janë të mundura.
Merkel ishte kundër hapjes së hoteleve në Gjermani. Ekspertët kishin këshilluar, se ky është një sinjal i gabuar. Edhe për udhëtimet në Majorka, Merkel nuk ka qenë e kënaqur. Por kjo nuk mund të merret për bazë për një hap të gabuar në vend. Pas kësaj u ndërprenë bisedimet për t’u zhvilluar më vonë. Në vend të lockdownit flitet tani për “qetësinë e pashkëve”. Për këtë do të futen si shtesë dy ditë të tjera pushimi. Nga data 1 deri më 5 prill nuk do të ketë grumbullime publike dhe do ketë kufizime në maksimum të kontakteve. Vetëm dyqanet e ushqimeve do të mund të hapen për një ditë. Meshat fetare do të mbahen online.
Vala e tretë e infektimeve
Gjendja epidemike në Gjermani po keqësohet më shpejtësi, si në shumë në vende të tjera europiane edhe në Gjermani po afrohet vala e tretë e pandemisë. Kështu aktualisht po infektohen 60% më shumë njerëz me virusin, se para dy ditëve. Vlera e incidiencës së virusit është rritur në mbi 100. Para dy javësh ajo ishte 68. Për shkak se vaksinimi po ecën shumë ngadalë nuk mund të ndalet vala e tretë e pandemisë.
Merkel u shpreh se rritja e infektimeve ka çuar në një “situatë shumë serioze”. Por ajo nuk u shpreh, se sa efekt kanë në këtë situatë shtimi i testimeve për shkak të futjes së vetëtestimit apo testeve të shpejtë. Edhe një tregues tjetër është përkeqësuar: Numri i pacientëve me COVID në trajtimin intensiv është shtuar. Në takimin e fundit të kancelares Merkel me kryeministrat e landeve u ra dakord për frenën e urgjencës, që do të thoshte, se lirimet e masave do të tërhiqeshin në momentin që infektimet shtohen. Së fundmi disa komuna gjermane nuk e zbatuan atë, prandaj zbatimi i kësaj ujdie do të kërkohet tani të bëhet më më konsekuencë.
Atmosfera në popullsi kritike
Kufizimet e para të pandemisë në mars të vitit të kaluar gjetën një mbështetje të gjerë dhe u zbatuan në masë të madhe në Gjermani. Por prej javësh është rritur skepticizmi ndaj politikës së qeverisë gjermane për mbrojtjen nga Corona. Shumë gjermanë janë lodhur nga pandemia. Protestat kundër masave që ishin të pakta këto muaj kanë filluar të shtohen, së fundmi pati përleshje të dhunshme me policinë. Instituti i sondazheve, YouGov në një sondazntë fundit ka arritur në përfundimin, se gjithnjë e më shumë vetë, që nga ndërrimi i viteve po e vlerësojnë negativisht mënyrën e veprimit në krizën e Coronës./DW
Nga Gazeta Panorama