“Vend i bekuar nga Zoti! Lart qielli, poshtë toka; në mes është Sopiku i Pogonit, në Dropull, në lartësitë e malit të Nemërçkës, filluam sot restaurimin e kishës Fjetja e Shën Mërisë, me ikonostasin më të veçantë në vend – një mrekulli e duarve të sopiqotëve në mes të mrekullisë së natyrës!”, shkruan ministrja Mirela Kumbaro duke falënderuar Shoqatën e Sopiqotëve në SHBA dhe Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për bashkëpunimin dhe dashurinë për Trashëgiminë Kulturore. Ajo e jep në këtë mënyrë lajmin për nisjen e restaurimit të kishës.
Historia e veçantë e ikonostasit

Vite më parë, restauratori Frederik Stamati ka treguar edhe historinë e veçantë të ikonostasit.
“Gjithmonë është thënë në fshat se për gdhendjen e ikonostasit, amvonit dhe proskinitarit  punuan babë e bir. Babai ishte më mjeshtër. Ai vdiq akoma pa përfunduar vepra e mrekullueshme që po krijonin. Punën e vazhdoi i biri. Ajo mbaroi mbas tridhjetë vjetëve. Po ta shikosh me kujdes të gjithë atë çka ata krijuan, dallohet menjëherë ndryshimi në nivelin artistik. Për herë të parë këtë e kam dëgjuar në vitin 1981, për herë të fundit në Sopik nga një banor i vjetër përpara disa muajve”.

Fatbardha Shkupi, historiane e artit, e ka trajtuar këtë temë në studimin “Mjeshtër shqiptarë, dekoratorë që kanë punuar në Bullgari, Maqedoni dhe në Shqipëri”, të botuar në revistën “Monumentet”, viti 2002. Po e citojmë: “Do të përpiqemi të nxjerrim në pah njërin nga artistët Nikolla Dibranin e ardhur nga Magarova, pranë Manastirit dhe (që) u vendos në familjen e vet në fshatin Lashovë, pranë Leskovikut, gjatë mbretërimit të Ali Pashë Tepelenës. Ai kishte dy djem Dhimitrin dhe Vasilin që u bënë edhe ata skulptorë. Ai ka punuar me arkitektin Petro Korçari. Ali Pasha u kishte premtuar fshatarëve të Sopikut që t’u bënte një kishë me një ikona bartës madhështor për nder të tre priftërinjve martirë: Kostandini, Panajoti dhe Joani të vrarë nga pushtuesit. Në të njëjtën kohë ky fshat kishte mbajtur anën e tij gjatë luftës kundra suliotëve.


Mjeshtri Nikolla në këtë kishë të “Fjetjes së Shën Mërisë” kompozoi një ikona bartës të madhërishëm me pjesë të daltuara rreth dy shtyllave dhe gjysmëhënza të ngarkuar mjaft me lule, helika e fazanë. Madhështia është paraqitur nga shqiponjat kartiatide me fletë të shpalosura që bartin baldakinin e Atikës, një thesar i vërtetë lulëzor dhe fantastik, ku profilohen dragonj dhe shumë kafshë të tjera mitologjike, të rrethuara prej helika trëndafilash, gjethe lisi dhe metope me nga tri lule. Shumë nga këto simbole e motive tradicionale përsëriten në repertorin shqiptar të dekoracionit të epokës iliriane. Të tjerët janë me origjinë mesopotamjane. Bie në sy amvoni, katedra dhe kurora e baldakinit (Skorza) të altarit, të cilët janë zbukuruar në mënyrë të fuqishme dhe të lëvizshme. Ky ikona bartës ka përfunduar në 1832 sipas një shkrimi mbi fronin e Peshkopit”. Do t’i kthehemi edhe një herë Dhimitër Bedulit në citimin që përmendëm më lart, të botuar në “Kishë dhe kulturë”. Mbasi tregon historinë e vrasjes së tre priftërinjve me urdhër të Ahmet Kurt Pashës së Beratit, ai vazhdon kështu:
“…ajo që është më interesante në këtë kishë është templloja (ikonostasi, F. S.), për të cilën mund të themi se është një nga veprat më të rralla të skulpturës në dru në vendin tonë; punim i hollë, kombinime të bukura, pamje madhështore. Është 13 m e gjatë. Çdo shtyllë fillon me një vazo, nga e cila del një degë peme në formë rrushi. Sipas Frederik Stamatit, mbi disa nga pemët janë skalitur zogj që i çukisin pemët; mbi shtyllat pëllumba me rrush e degë në gojë. Bukur paraqiten dragonjtë nën kryqin, darka mistike në miniaturë mbi ikonën e Krishtit etj. Si është një pjesë nuk është tjetra. Mbi derën e bukur dy engjëj mbajnë mitrën episkopale, ndërsa dy të tjerë janë duke shikuar me gëzim. Të njëjtën punë ka edhe froni episkopal edhe amvona. Të gjitha janë punuar në dru arre. Nga sa mban mend prifti 80-vjeçar Atë Doko, të tre këto objekte janë punuar prej një skulptori të quajtur Nikolla nga fshati Megaroro i Maqedonisë afër Bitolit dhe janë përfunduar e vendosur më 1 janar 1836. Meqë skulptori ishte plak dhe nuk udhëtonte, të tre këta objekte janë punuar në Megaroro dhe janë sjellë me kafshë pjesë-pjesë në Sopik dhe janë montuar prej të birit të skulptorit, i cili ka qenë, gjithashtu, skulptor, madje ka punuar dhe prosqinitarin e kishës”.


Stamati shënonte se ky ikonostas është po aq i famshëm, sa edhe ai i kishës së Leusës. Të dy këta i a bëjnë ferk njëri-tjetrit për nga bukuria. Dhe pikërisht pse është i bukur vendosën ta merrnin dhe ta ekspozonin në Muzeun Historik Kombëtar. Kjo ndodhi në vitin njëmijë nëntëqind e tetëdhjetë e një, në muajin korrik.

Nga “Gazta Shqitare”